Policia e Korçës ka reaguar menjëherë pas publikimit të një videoje nga portali “JOQ”, ku shihej një automjet duke kryer një manovër të rrezikshme parakalimi në aksin rrugor Korçë–Bilisht, në kushte me fushëpamje të kufizuar.
Sipas njoftimit zyrtar të Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, pas verifikimeve nga Sektori i Qarkullimit Rrugor është identifikuar drejtuesi i mjetit, shtetasi F. N.. Ky i fundit është ndëshkuar me një gjobë prej 56 000 lekësh, si dhe i janë zbritur 10 pikë nga leja e drejtimit, në bazë të nenit 139, 141 dhe 146 të Kodit Rrugor.
Policia e Korçës thekson se është në ndjekje të rasteve të ngjashme dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor në numrin emergjent 112, duke garantuar një reagim të menjëhershëm dhe në përputhje me ligjin.



