Pasi braktisi kombëtaren, Ronaldo ka kohë për 41 veturat e tij
P

Pasi braktisi kombëtaren, Ronaldo ka kohë për 41 veturat e tij

Skandali i paprecedentë që tronditi Kombëtaren e Portugalisë ka marrë një tjetër dimension! Pasi, pas qëndrimit në stol kundër Norvegjisë, hyri në një konflikt të hapur me trajnerin Jorge Jesus dhe refuzoi të stërvitej me ekipin, Cristiano Ronaldo u largua në mënyrë demonstrative nga grumbullimi i kombëtares. Ndërsa opinioni publik në Lisbonë është i trazuar, CR7 tani do të ketë më shumë se mjaftueshëm kohë t’i përkushtohet pasionit të tij më të madh jashtë futbollit,  koleksionit të makinave luksoze, numrin e saktë të të cilave as vetë nuk e di!

Kur Cristiano Ronaldo mbërriti për herë të parë te Manchester United në moshën 18-vjeçare, ai vinte nga qyteti modest portugez i Funchal-it, me pak të dhëna të njohura për të, përveç faktit se si futbollist i ri ishte futur në ekipin e parë të Sporting Lisbonës. Por, brenda një viti nga nënshkrimi i kontratës fitimprurëse në “Old Trafford”, superylli i futbollit u ul në timonin e një Porsche Cayenne me vlerë 80.000 euro, një nga SUV-të sportive më të shpejta, që për një kohë të gjatë ishte i preferuar nga sportistët.

“Sinqerisht, nuk e di sa makina kam, 40, 41…”

Ky do të ishte fillimi i asaj që sot është një pasion i madh për supermakinat për Cristiano Ronaldon, i cili ka pranuar se as vetë nuk e di gjithçka që ka në garazh. Sot Ronaldo ka një pasuri prej rreth 1,2 miliardë eurosh, ndërsa te Al-Nassr fiton 550.000 euro në ditë. Edhe paratë që do të marrë si bonus janë të jashtëzakonshme. Ai ka fituar 44 milionë euro vetëm për vendimin për të luajtur edhe një sezon. Paga ditore prej gjysmë milioni eurosh është e vetëkuptueshme. Prandaj nuk është çudi që 41-vjeçari nuk e di saktësisht se çfarë zotëron. Kur u pyet: “Sa makina ke?”, ai u përgjigj qetësisht: “Nëse do të duhej të vija bast, sinqerisht do të thosha 40 ose 41!? Sinqerisht, nuk e di. Më pëlqejnë Bugatti-t, janë një lloj tjetër bishash. Para tre ditësh bleva një makinë të re, por ajo vetëm i shtohet koleksionit tim. Është sikur të blej një pikturë. Nuk do ta ngas atë makinë, është një investim. Nuk i ngas, vetëm kujdesem që të jenë gjithmonë në gjendje perfekte. Në fakt, nuk jam më aq i fiksuar pas makinave sa në fillim të karrierës”, tha Ronaldo për gazetarin Piers Morgan.

Veterani, i cili së fundmi u shpall miliarderi i parë në historinë e futbollit, ka pranuar gjithashtu se ka blerë një Bugatti Tourbillon me vlerë 3,5 milionë euro si “investim”, dhe jo thjesht për kënaqësi. Kjo lë një pyetje për të gjithë – cilat makina të tjera luksoze ka Ronaldo në garazhin e tij të madh në Arabinë Saudite? Ja çfarë dimë për koleksionin e tij të makinave ndër vite…

Pasi la Porsche Cayenne-n e tij në Manchester United, Ronaldo u pa nëpër Mançester duke drejtuar makina edhe më luksoze. Pasioni i tij për makinat pothuajse i kushtoi karrierën në vitin 2009, kur pati një aksident me një Ferrari vetëm disa ditë para ndeshjes së Manchester United kundër Chelsea-t. Për fat të mirë, ai nuk u lëndua. Makina ishte një Ferrari 599 GTB Fiorano me vlerë 250.000 euro, me shpejtësi maksimale prej 280 kilometrash në orë.

Po atë vit, Ronaldo u transferua në Madrid, ku Audi, sponsor i Real Madridit, e shpërbleu me makina sipas dëshirës. Çdo vit, skuadra e Madridit merrte një makinë të re nga prodhuesi gjerman, ndërsa Ronaldo u pa me një Audi RS5, Audi R8 dhe Audi S8.

Më pas, në vitin 2018, ai kaloi te Juventusi dhe në Torino shpenzoi më shumë se nëntë milionë euro për një Bugatti Centodieci ultra të rrallë, nga i cili janë prodhuar vetëm dhjetë ekzemplarë. Me supermakina të tilla, që kanë 1.600 kuaj fuqi, çmimi i tyre pritet vetëm të rritet. Fituesi pesë herë i “Topit të Artë” thotë se marka e tij e preferuar është Bugatti dhe i ka pranuar Piers Morganit në një intervistë në vitin 2022 se i pëlqen të ketë nga dy ekzemplarë të çdo modeli.

Ndër supermakinat e tjera në pronësi të “CR7” është Mercedes G Brabus me vlerë 700.000 euro, të cilin Ronaldos ia dhuroi partnerja e tij. Ai zotëron gjithashtu një Bugatti Veyron prej 1,8 milionë eurosh, një Mercedes S65 AMG me vlerë 300.000 euro, një McLaren MP4-12C në ngjyrë portokalli të ndezur (300.000 euro) dhe një Lamborghini Aventador (350.000 euro).

Në vitin 2021, Ronaldo bleu një Bentley Flying Spur me vlerë 300.000 euro për të lëvizur nëpër Mançester, pasi në gusht iu bashkua sërish Manchester United nga Juventusi. Më pas bleu një Aston Martin DBS Superleggera kabriolet me vlerë 250.000 euro, i cili ka një motor V12 5,2-litërsh me dy turbo dhe 715 kuaj fuqi.

Ronaldo ka gjithashtu një Bentley Continental GT, një Lamborghini Urus dhe një Chevrolet Camaro me vlerë “vetëm” 50.000 euro.

Ai bleu edhe një Ferrari Monza me vlerë 1,7 milionë euro, pasi vizitoi selinë e markës italiane në Maranello në maj të vitit 2021. Makina të tjera që zotëron sulmuesi i Al-Nassr janë edhe një Ferrari tjetër në ngjyrë argjendi, një Mercedes AMG GLE 63 dhe një Mercedes i zi, si dhe një Bugatti Chiron me vlerë 2,5 milionë euro, një Ferrari 599 GTO prej 600.000 eurosh dhe një McLaren Senna me vlerë mbi 850.000 euro…

E fejuara e tij, Georgina Rodriguez, gjithashtu ka shpenzuar për një Rolls-Royce të tretë për ditëlindjen e 36-të të Ronaldos, përveç modelit Cullinan me vlerë 400.000 euro dhe Phantom Drophead Coupé me vlerë rreth 600.000 euro. Georgina e bleu Rolls-Royce Dawn për më shumë se gjysmë milioni euro.

Në marsin e kaluar, ai shtoi në flotën e supermakinave edhe një Ferrari Daytona SP3 me vlerë 2,5 milionë euro. Ronaldo ka thënë në një intervistë se nga sponsori i klubit në Arabinë Saudite merr një BMW të ri, të cilin duhet ta ngasë nga stadiumi deri në shtëpi – një mundësi e rrallë për sulmuesin, i cili thotë se nuk ulet shpesh në timon në Arabinë Saudite për shkak të trafikut të madh.

“Vitin e kaluar bleva një avion të ri për 50 milionë euro. Nuk i shpenzoj paratë kot – mund të blija çdo gjë, por nuk kam nevojë për të. Njeriu gjithmonë ka synime: një shtëpi, një makinë, trofe… dhe ai numër ishte një nga synimet e mia. Sinqerisht, nuk jam i fiksuar pas parave – ato janë të mira për shumë gjëra, por mbi një nivel të caktuar nuk kanë më rëndësi. Sigurisht, është ndjenjë e mirë të kesh më shumë, sepse jemi njerëz dhe nuk jemi kurrë plotësisht të kënaqur. Por ka gjëra që janë më të rëndësishme se paratë”, pranoi Ronaldo, i cili gjatë nëntë viteve të fundit udhëton vetëm me avionin e tij.

 

TË FUNDIT