Përdorimi i telefonit gjatë vozitjes është bërë një nga faktorët kryesorë që ndikon në aksidentet rrugore dhe në shkeljen e sigurisë në trafik. Pavarësisht rregullave dhe ndalimeve të vendosura nga Policia e Kosovës, shumë shoferë vazhdojnë ta përdorin telefonin gjatë vozitjes, duke paraqitur kështu rreziqe të mëdha për ata dhe për të tjerët në rrugë, shkruan AutoPortali.
Përdorimi i telefonit gjatë vozitjes mund të çojë në shpërqendrimin e shoferit, duke e bërë atë më të prirur për të humbur kontrollin mbi automjetin dhe për të bërë gabime. Këtë e pohon edhe psikologia klinike, Albulena Mazreku.
“Përdorimi i telefonit gjatë vozitjes ndikon drejtpërdrejt në shpërqendrimin e shoferit dhe është një shkaktar kryesor i aksidenteve, sepse shoferët mund të shfaqin shpërqendrim. Kur truri përqendrohet në përmbajtjen e telefonit, sytë drejtohen tek ai dhe jo tek rruga, ndërkohë që duartë nuk janë të angazhuara për të drejtuar timonin”.
Edhe njohësi i komunikacionit Lavdim Hamiti, ka theksuar se përdorimi i telefonit është një nga shkaktarët kryesorë të aksidenteve.
“Përdorimi i telefonit është një prej shkaktarëve të aksidenteve, sepse shpërqendrimi që shkakton mund të çojë në përplasje dhe dëmtime serioze”.
Psikologia Mazreku thekson gjithashtu se përdorimi i shpeshtë i telefonit gjatë vozitjes mund të krijojë një ves të cilin është shumë e vështirë ta largojmë.
“Në shumë raste, përdorimi i telefonit gjatë vozitjes shfaq sjellje impulsive. Shoferët mundohet që në mënyrë sa më të shpejtë të kthejnë mesazhet, gjë që aktivizon trurin dhe disa krijojnë varësi të lehtë nga telefoni, pasi nuk mund ta përballojnë moskontrollimin e njoftimeve që shfaqen në ekranin e telefonit. Kur mendja është e ndarë midis telefonit dhe rrugës, rritet mundësia për të reaguar ngadalë ose për të bërë gabime të rënda në komunikacion.”
Mazreku sqaron më tej:
“Disa shoferë krijojnë vetbesim të tepruar, duke menduar se mund t’i arrijnë të dyja: vozitjen dhe kontrollin e telefonit. Ka gjithashtu prej atyre që e përdorin telefonin si një formë argëtimi, sepse ndihen të mërzitur apo të vetmuar“.
Një vozitëse, Xh.I, tregon se, pavarësisht dënimeve të shqiptuara, ajo vazhdon ta përdorë telefonin herë pas here.
“Po, edhe pse e di që paraqet rrezik në komunikacion për mua dhe të tjerët, telefoni shpesh herë është pjesë e vozitjes time. Sa i përket asaj se a është shprehi apo nevojë, mendoj se si shumica e rasteve të tjera, është një shprehi negative e krijuar“.
Njohësi i komunikacionit Lavdim Hamiti, e shikon si mundësi të vetme për të rritur ndërgjegjësimin e shoferëve vendosjen e kamerave.
“Për të parandaluar aksidentet dhe për të reduktuar përdorimin e telefonit gjatë vozitjes, masat ndëshkuese dhe vendosja e kamerave apo radarëve mobil janë të domosdoshme“.
Në anën tjetër, Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë vitit 2024 janë shqiptuar gjithsej 18,924 gjoba për përdorimin e telefonit gjatë drejtimit të mjetit, sipas nenit 231 të Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor.
Në ligjin për komunikacionin, në Paragrafin 9, thuhet:
“Shoferi që vepron në kundërshtim me dispozitat:
9.1. dënohet me gjobë prej njëqind (100) euro, nëse për herë të parë vepron në kundërshtim me dispozitat e paragrafit 4 të këtij neni. Përveç gjobës, atij i shqiptohet edhe një (1) pikë negative;
9.2. dënohet me gjobë prej dyqind (200) euro, nëse për herë të dytë vepron në kundërshtim me dispozitat e paragrafit 4 të këtij neni. Përveç gjobës, atij i shqiptohet edhe masa mbrojtëse ndalim i të drejtuarit të mjetit për një periudhë prej tre (3) muajsh, si dhe dy (2) pikë negative;
9.3. dënohet me gjobë prej pesëqind (500) euro, nëse përsërit kundërvajtjen më shumë se dy (2) herë në kundërshtim me dispozitat e paragrafit 4 të këtij neni. Përveç gjobës, atij i shqiptohet edhe masa mbrojtëse ndalim i të drejtuarit të mjetit për një periudhë prej gjashtë (6) muajsh, si dhe tri (3) pikë negative”.

Policia e Kosovës, bazuar në detyrat dhe autorizimet e saj ligjore dhe kushtetuese, është e përkushtuar në mbajtjen e rendit, garantimin e sigurisë publike, si dhe menaxhimin dhe kontrollin e trafikut rrugor nëpër të gjitha rrugët e vendit.
“Policia e Kosovës, sipas planifikimeve operacionale, parasheh aktivitete të shtuara për të parandaluar aksidentet dhe për të rritur sigurinë në trafik. Veç aktiviteteve policore, Policia e Kosovës kërkon dhe apelon tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të respektojnë rregullat dhe shenjat e trafikut, si dhe të shmangin përdorimin e telefonit gjatë vozitjes. Për të gjithë ata që shkelin ligjet e trafikut, Policia e Kosovës do të ndërmarrë masa ndëshkuese, sipas ligjeve në fuqi“, thuhet në apelin e Policisë. /AutoPortali/



