Komuna e Prishtinës ka reaguar sot pas shqetësimeve të ditëve të fundit për cilësinë e ujit në pishinën e Gërmisë, duke njoftuar se Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka dhënë leje për rihapjen e pishinës, pas analizave të fundit laboratorike të ujit.
Sipas njoftimit zyrtar, më 24 korrik, bazuar në rezultatet preliminare të disa mostrave të marra në pishinë, Inspktorati Sanitar kishte kërkuar mbylljen e përkohshme të saj, edhe pse analizat përfundimtare nuk ishin finalizuar në atë moment, shkruan AutoPortali.
“Më 25 korrik, analizat përfundimtare të mostrave të datës 23 korrik kanë konfirmuar se cilësia e ujit është brenda standardeve të rregullores për pishina. Bazuar në këto rezultate, pishina e Gërmisë mund të rihapet për qytetarët,” thuhet në njoftimin e Komunës.
Komuna e Prishtinë ka shprehur shqetësim për “komunikimet publike të parakohshme” që, sipas tyre, krijuan panik dhe konfuzion tek qytetarët.
“Urojmë që praktika të tilla të shmangen në të ardhmen, dhe çdo komunikim të bazohet vetëm në rezultate zyrtare përfundimtare nga institucionet përkatëse,” theksohet më tej në njoftim.
Komuna ka ftuar qytetarët të shijojnë hapësirat e Gërmisë, duke garantuar transparencë dhe përkushtim për sigurinë dhe shëndetin publik.
Ky njoftim vjen pas një serie reagimesh të nisura dje, kur institucionet shëndetësore ngritën alarmin për ndotje në pishinën e Gërmisë. Më 24 korrik, IKSHPK publikoi njoftimin se kishte kërkuar mbylljen e pishinës në bazë të analizave paraprake.
Po atë ditë, reagoi edhe Inspektorati Sanitar i Ministrisë së Shëndetësisë, duke bërë të ditur se ishte duke ndjekur situatën dhe se do të vepronte sipas rezultateve përfundimtare.
Ndërkohë, sot, më 25 korrik, IKSHPK konfirmoi përmes një njoftimi se mostrat e datës 23 korrik janë analizuar dhe kanë rezultuar brenda normave ligjore. Sipas këtij institucioni, monitorimi i rregullt do të vazhdojë edhe në ditët në vijim, për të garantuar sigurinë e qytetarëve. /AutoPortali



