Derbi i javës së tetë në Albi Mall Superligën e Kosovës, mes Prishtinës dhe Ballkanit, nuk do të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” siç ishte parashikuar fillimisht. Lajmi është konfirmuar nga vetë klubi kryeqytetas përmes një njoftimi zyrtar.
Prishtina, që është nikoqire në këtë takim ndaj liderit aktual të tabelës, ka bërë të ditur se përballja do të luhet në Kampin Nacional në Hajvali, këtë të shtunë, më 4 tetor, me fillim nga ora 15:00.
Shkak për këtë zhvendosje janë përgatitjet për ndeshjen e ardhshme të Kombëtares së Kosovës ndaj Sllovenisë, që do të zhvillohet në stadiumin kombëtar “Fadil Vokrri”. Si pasojë, fusha është në proces mirëmbajtjeje dhe nuk do të jetë e gatshme për sfidën e Superligës.
Në njoftimin e klubit Prishtina thuhet:
“Ndeshja ndërmjet FC Prishtinës dhe FC Ballkanit, e vlefshme për javën e 8-të në Superligën e Kosovës, do të zhvillohet këtë të shtunë, më 4 tetor, me fillim nga ora 15:00, në Kampin Nacional në Hajvali.
Ky ndryshim i lokacionit vjen për shkak të nevojës për mirëmbajtje dhe përpunim të fushës në stadiumin ‘Fadil Vokrri’, në kuadër të përgatitjeve për ndeshjen e ardhshme të Kombëtares së Kosovës.”
Përballja Prishtina–Ballkani konsiderohet si ndeshja kryesore e javës, pasi takohen dy skuadrat më të forta të kampionatit: Ballkani si lider i tabelës, dhe Prishtina si ndjekës i afërt në vendin e dytë. Me shumë në lojë, pritet një duel i zjarrtë pavarësisht zhvendosjes së papritur të stadiumit.



