Nuk do t’ju duhet të prisni gjatë për një rekord botëror – mjafton të gjendeni në Putrajaya, qyteti futurist i Malajzisë, për të ngisur nëpër rrethrrotullimin më të gjatë në botë, të paktën sipas autoriteteve vendase. Me një gjatësi mbresëlënëse prej 3.4 kilometrash, kjo pjesë unike e infrastrukturës rrugore ka tërhequr vëmendjen ndërkombëtare, duke shërbyer si simbol i ambicieve urbane të një vendi që prej dekadash kërkon të ndërtojë të ardhmen.
Rreth 30 vjet më parë, vizioni i ish-kryeministrit Mahathir Mohamad për një qytet administrativ të gjelbër dhe modern mori jetë pranë plantacioneve të vajit të palmës. Kështu lindi Putrajaya – një metropol i planifikuar me kujdes, që sot është zemra e qeverisë malajziane dhe shtëpia e një prej rrugëve më të veçanta në botë, shkruan Hak, transmeton AutoPortali.
Por rekordi i këtij rrethrrotullimi është vënë në pikëpyetje nga ana tjetër e globit. Në Trinidad dhe Tobago, një vend i vogël ishullor në Detin e Karaibeve, autoritetet pretendojnë se pista e tyre e trafikut rrethor është më e gjatë, duke cituar një gjatësi prej 3.5 kilometrash. Ky pretendim e vë në diskutim statusin e fituar prej vitesh të Putrajayas dhe ngre pyetje rreth saktësisë së matjeve dhe kritereve që përcaktojnë rekordin.

Për momentin, Putrajaya mbetet zyrtarisht në krye, duke shijuar lavdinë që vjen me një rekord botëror. Por përballja me Trinidadin dhe Tobagon mund të detyrojë autoritetet ndërkombëtare të marrin një vendim përfundimtar – kush e mban vërtet kurorën e rrethrrotullimit më të gjatë në planet?
Derisa kjo çështje të sqarohet, një gjë është e sigurt: vizitorët e Putrajayas do të vazhdojnë të mrekullohen nga madhështia e inxhinierisë urbane, duke përjetuar një xhiro unike që sfidon kufijtë e zakonshëm të infrastrukturës rrugore.



