Karateistët e Kosovës nuk morën pjesë në Kampionatin Evropian për kadetë, juniorë dhe U21, i cili u zhvillua në Limasol të Qipros, për shkak se autoritetet e këtij vendi nuk lejuan përdorimin e simboleve shtetërore të Republikës së Kosovës.
Federata e Karatesë e Kosovës kishte marrë njoftim zyrtar nga autoritetet qipriote, si dhe nga Federata Evropiane e Karatesë (EKF), se pjesëmarrja e ekipit kosovar me flamurin dhe himnin shtetëror nuk do të ishte e mundur.
Kjo situatë e vendosi delegacionin e Kosovës në një pozitë të pabarabartë krahasuar me sportistët e vendeve të tjera pjesëmarrëse.
Si alternativë, Federata Evropiane e Karatesë ofroi një “zgjidhje” të përkohshme, duke sugjeruar që karateistët kosovarë të garonin nën emrin dhe flamurin e Federatës së Karatesë së Kosovës, në përputhje me kufizimet ligjore që aplikon Qiproja si vend organizator i kampionatit.
Megjithatë, drejtuesit e karatesë kosovare refuzuan këtë propozim, duke e konsideruar atë të papranueshëm dhe në kundërshtim me parimet e barazisë sportive.
Si rrjedhojë, u mor vendimi që ekipi i Kosovës të mos udhëtonte drejt Qipros për këtë ngjarje të rëndësishme kontinentale.
Ky vendim ishte miratuar unanimisht nga bordi ekzekutiv dhe Kuvendi i Punës i Federatës së Karatesë së Kosovës.
Vendimi i autoriteteve qipriote, si dhe mbështetja e Federatës Evropiane të Karatesë për respektimin e ligjeve të vendit organizator, krijuan një situatë që u vlerësua si diskriminuese ndaj sportistëve kosovarë.
Si pasojë, ata mbetën jashtë garës, pavarësisht se kishin kryer të gjitha përgatitjet e nevojshme për pjesëmarrje.
Kjo nuk është hera e parë që një situatë e tillë ndodh në Qipro, pasi edhe tre vjet më parë karateistët e Kosovës nuk ishin lejuar të paraqiteshin me të drejta të barabarta në Kampionatin Evropian të organizuar po në këtë vend. /AutoPortali



