Mesfushori Ylber Ramadani është kthyer në një element kyç të Lecces, e cila po bën shumë mirë në këtë sezon në Serie A, edhe pse një prej skuadrave me buxhetin më të ulët. Mesfushori shqiptar është integruar mirë në lojën e skuadrës së tij, e cila dje arriti një rezultat të rëndësishëm teksa ndali në barazim pa gola Romën.
Në fakt, Lecce krijoi disa mundësi shënimi, me Ramadanin i cili edhe vetë tentoi portën. Pas ndeshjes, ai nuk ngurroi të shprehte keqardhjen që nuk kishin arritur të merrnin pikët e plota.
“Që pas 10 minutave të parë e ndjeja se mund të fitonim këtë ndeshje. Ata kishin vetëm dy raste të rrezikshme gjatë gjithë ndeshjes”, tha mesfushori për “DAZN” ku tregoi edhe ndryshimet mes rolit të tij në Kombëtare dhe në klub.

“Në Kombëtare luaj bashkë me Bajramin dhe Asllanin, ndërsa me Blin kam më shumë mundësi të shtyhem para, kur marrim topin dua që të ec më përpara që të bëj gola.
Ndeshja me Italinë në Europian? Do të jetë e veçantë pasi luaj këtu në Itali. Ata janë një skuadër e fortë, por edhe ne do të luajmë për të fituar”, paralajmëroi italianët Ramadani.



