Reshjet ulin temperaturat dhe shuajnë vatrat e zjarrit në Kosovë
R

Reshjet ulin temperaturat dhe shuajnë vatrat e zjarrit në Kosovë

Pas ditëve me temperatura të larta dhe mungesë reshjesh, Kosova është përfshirë nga shira që nisën pasditen e së enjtes dhe vazhduan gjatë natës deri në mëngjesin e sotëm.

Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës (IHMK), reshjet kanë pasur intensitet të ulët deri mesatar dhe kanë ndikuar në uljen e temperaturave me 2 deri në 3 gradë Celsius.

Instituti bën të ditur se shiu do të vazhdojë edhe gjatë ditës së sotme, duke ndihmuar ndjeshëm në përmirësimin e gjendjes me zjarret në vend dhe rajon, duke shuar vatra ekzistuese dhe duke ulur rrezikun e përhapjes së tyre.

Në të njëjtën kohë, IHMK ka reaguar ndaj raportimeve të portaleve të paautorizuara, të cilat gjatë ditës së djeshme përhapën lajme për “stuhi të fuqishme” dhe “erëra të forta”, kryesisht në Prishtinë.

Instituti thekson se këto informacione ishin të pasakta dhe shkaktuan panik të panevojshëm te qytetarët.

Sipas të dhënave nga rrjeti i stacioneve meteorologjike, sasia më e lartë e reshjeve është regjistruar në Gjakovë me 22.3 mm, pasuar nga Kuqishta me 19.1 mm dhe Batllava me 16.9 mm. Në Prishtinë u matën 11.4 mm, ndërsa në qytete të tjera shifrat variojnë nga 0.5 mm në Han të Elezit deri në mbi 12 mm në Obiliq.

TË FUNDIT