Rion Tytynxhiu është fitues i garës së dytë në disiplinën Esport Formula 4, e cila mbrëmë (e enjte), u mbajt në shtegun e njohur japonez Tsukuba Circuit, ndërsa u organizua në ambientet e Sim Race Kosova, duke filluar nga ora 20:30.
Në garë morën pjesë gjithsej gjashtë garues, të cilët treguan pasion, përkushtim, rivalitet e durim, ndërsa i pari vijën e finishit e kaloi i riu Rion Tytynxhiu.
Në pozitën e dytë u rendit Enver Suhodolli, ndërsa vendi i tretë i takoi Arben Nushit.
Gjithashtu, pas 30 minutave garë, cakun e finishit arritën ta kalojnë edhe Blendi Ferizi dhe Amir Miftari, duke grumbulluar pikë të rëndësishme për renditjen e përgjithshme të kampionatit.
Pas dy garave të zhvilluara, renditjen e përgjithshme të kampionatit e kryeson Enver Suhodolli me 40 pikë, i ndjekur nga Arben Nushi me 32 pikë, ndërsa pozitën e tretë e ndajnë Baran Karabeg dhe Rion Tytynxhiu me nga 25 pikë secili.
Gara e tretë e kampionatit do të zhvillohet më 11.06.2026 në shtegun legjendar Oulton Park, ku pritet vazhdimi i dueleve interesante dhe rivalitetit të madh mes garuesve.



