Ronaldo: Fitojmë dy ndeshjet, kualifikohemi
R

Ronaldo: Fitojmë dy ndeshjet, kualifikohemi

Kapiteni i Portugalisë, Cristiano Ronaldo, ka komentuar për objektivat afatshkurtër të kombëtares portugeze, në prag të dy ndeshjeve të rëndësishme kualifikuese për Kampionatin Botëror “FIFA World Cup 2026”.

Portugalia do të përballet me Irlandën më 11 tetor dhe Hungarinë më 14 tetor, në dy duele që mund të përcaktojnë fatin e skuadrës në grupin kualifikues.

Në një deklaratë për mediat, ylli i futbollit botëror theksoi rëndësinë e këtyre sfidave dhe shprehu bindjen se skuadra është e përgatitur për të arritur qëllimin.

“Jam mirënjohës për gjithçka që kam mësuar nga bashkëlojtarët e mi – si ata me përvojë, ashtu edhe gjenerata e re që po vjen me shumë energji dhe cilësi,” u shpreh Ronaldo.

Ai theksoi se bashkimi i përvojës me talentin e ri është një forcë e madhe për ekipin.

“Qëllimi ynë është të fitojmë dy ndeshjet e ardhshme dhe të sigurojmë kualifikimin në Kupën e Botës. Çfarë do të ndodhë atje, do ta shohim”, përfundoi sulmuesi 40-vjeçar, duke lënë të hapur gjithçka për turneun final në vitin 2026.

Portugalia aktualisht ndodhet në krye të grupit të saj dhe ka zhvilluar një fushatë të shkëlqyer kualifikuese, por trajneri dhe lojtarët janë të vetëdijshëm se asgjë nuk është e sigurt pa fitore në këto dy përballje kyçe. /AutoPortali

TË FUNDIT