A e kanë ulur rregullat e reja të Formula 1 statusin e saj si sfida më e madhe për një pilot? Sipas disa prej emrave më të mëdhenj të sportit, mund të krijohet ky përshtypje.
“Kjo nuk është Formula 1”, tha Max Verstappen për menaxhimin e energjisë në makinat e reja.
“Qesharake”, shtoi Lewis Hamilton.
“Edhe një kuzhinier mund ta ngasë me atë shpejtësi”, u shpreh Fernando Alonso.
“Nuk është forma më e pastër e ngasjes”, tha Lando Norris.
Rregullat e reja sjellin motorë hibridë me më shumë fuqi elektrike dhe kërkojnë menaxhim të vazhdueshëm të baterisë, e cila zbrazet për rreth 11 sekonda në fuqi maksimale. Kjo ka sjellë teknika “kundërintuitive”, si mosshfrytëzimi i plotë i gazit në disa kthesa për të ruajtur energjinë.
Megjithatë, sipas analizave të BBC Sport, pilotët ende ngasin në limitin e kapjes në shumicën e kohës. Makinat kanë më pak forcë aerodinamike dhe janë disa sekonda më të ngadalta, por telemetria tregon se diferencat nuk janë dramatike.
Një tjetër ndryshim është sistemi i ri “overtake”, që zëvendëson DRS-in dhe jep energji elektrike për një periudhë më të gjatë, por pa rritur fuqinë maksimale, gjë që mund ta bëjë parakalimin më të vështirë.
Debati vazhdon mes skuadrave dhe FIA-s për mundësinë e rregullimeve të mëtejshme, ndërsa sezoni nis më 8 mars në Australi.



