Lewis Hamilton dhe Michael Schumacher janë emra rreth të cilëve prej vitesh zhvillohen debate se kush është piloti më i madh në historinë e Formula 1. Tani, një njeri që ka punuar nga afër me të dy rekordmenët absolutë ka vendosur të japë mendimin e tij.
Jock Clear, inxhinieri i njohur i Ferrari-t, bëri një krahasim shumë të sinqertë mes dy ikonave të garave dhe habiti shumë njerëz duke deklaruar se britaniku ka më shumë talent natyral, por se gjermani zotëronte një armë shumë më të rëndësishme.
Clear ka pasur privilegjin të punojë me legjenda të Formula 1 gjatë karrierës së tij. Ndërsa Schumacher i solli Ferrari-t pesë tituj radhazi botërorë nga viti 2000 deri më 2004, inxhinieri sot punon me Charles Leclerc dhe nga sezoni i kaluar edhe me Hamiltonin, i cili erdhi në Maranello në kërkim të titullit të tetë.
Talent natyral kundër perfeksionizmit ekstrem
“Kur flasim për talentin e pastër natyral, Hamilton ndoshta ka më shumë se Schumacher. Megjithatë, Lewis-it i mungon pamja e gjerë që Michael e kishte gjithmonë dhe që e veçonte nga të gjithë të tjerët,” tha Clear.
Ajo që e fascinonte inxhinierin te Schumacher nuk ishte vetëm shpejtësia në pistë, por qasja e tij jashtë saj. Gjermani kuptonte dinamikën e Formula 1 dhe çdo detaj të vogël më mirë se kushdo tjetër.
Për ta shpjeguar këtë, Clear përdori një thënie të famshme të Muhammad Ali:
“Ali e tha më së miri: ‘Nuk të ndal mali përpara, por guraleci i vogël në këpucë.’ Michael e dinte më mirë se kushdo ku ndodheshin ata ‘guralecë’ dhe i largonte menjëherë.”
Michael Schumacher tenía el temple de los gladiadores que luchaban en los coliseos romanos; su fin era solo correr y ganar. Hoy a los pilotos de cristal de la F1 se les enciende una alerta en el auto y abandonan la carrera. pic.twitter.com/xrRQg0PVfB
— Vision País Chile 📡 (@visionpaischile) May 21, 2026
Detajet që ndajnë të mirët nga legjendat
Sipas Clear, Schumacher ishte fanatik i organizimit dhe perfeksionit. Ai kujdesej që gjithçka rreth tij dhe makinës të funksiononte në mënyrë perfekte.
“Ai e dinte se në atë nivel të garimit ka gjëra shumë më të rëndësishme sesa thjesht shtypja e pedalit të gazit. Jam i sigurt se edhe vetë Michael do ta pranonte se nuk ishte as më i shpejti dhe as më i guximshmi në pistë. Në këtë nivel të Formula 1, të gjithë mund të bëjnë një xhiro shumë të shpejtë,” tha Clear.
Ai shtoi se diferenca mes pilotëve të mirë dhe kampionëve të mëdhenj fshihet në detajet më të vogla, ato që nuk shihen në televizion, por që vendosin fituesin në kualifikime dhe në garë.
“Në fund, Michael kishte balancën më të mirë nga të gjitha këto elemente,” përfundoi Clear.



