Në gjysmën e sezonit të Formula 1, është bërë e qartë se gara për titullin do të jetë mes dy pilotëve të McLaren-it, Oscar Piastri dhe Lando Norris. Megjithatë, drejtuesi i ekipit britanik, Zak Brown, thekson se nuk ka asnjë armiqësi mes tyre.
Tifozët më të vjetër të McLaren-it e kujtojnë mirë rivalitetin legjendar mes Alain Prost dhe Ayrton Senna. Por situata aktuale mes Piastrit dhe Norris nuk ka të krahasuar, ndërsa Senna dhe Prost kishin një urrejtje të hapur, australiani dhe britaniku, të paktën para kamerave, duken si miq shumë të mirë.
Është e vërtetë që ka pasur momente tensioni, si në garën e Montrealit, por Brown e cilëson atë si një incident të izoluar, një gabim që Lando Norris vetë e ka pranuar më vonë.
“Nuk mendoj se do të kenë ndonjë përplasje serioze, sepse kanë komunikim të mirë, besim dhe respekt, si me njëri-tjetrin ashtu edhe me skuadrën. Jemi shumë të lumtur që kemi dy persona të tillë”, u shpreh Brown.
Gjithsesi, të dy janë në luftë për titull dhe tensionet janë të pashmangshme.
“Për momentin nuk ka tensione. Ka garë dhe konkurrencë, por besoj se tensioni do të rritet gradualisht. Ne e duam sfidën dhe mezi presim ta shohim këtë betejë për titull”, shtoi ai.

Oscar Piastri ka fituar gjashtë gara, një më shumë se Norris, dhe kryeson renditjen me nëntë pikë më shumë. Max Verstappen ndodhet në vendin e tretë, me 97 pikë më pak se lideri Piastri.
Sa i përket kampionatit të konstruktorëve, McLaren po dominon bindshëm, me 559 pikë, përpara Ferrarit në vendin e dytë, që ka vetëm 260 pikë.



