Shefi i zyrës së NATO-s në Beograd: Ndërhyrja më 1999 krijoi një kornizë të re të sigurisë së përhershme në Kosovë
S

Shefi i zyrës së NATO-s në Beograd: Ndërhyrja më 1999 krijoi një kornizë të re të sigurisë së përhershme në Kosovë

“Fushata ajrore e NATO-s krijoi themelet jo vetëm për ndërprerjen e armiqësive, por edhe për një kornizë të re të sigurisë së përhershme në Kosovë dhe stabilitetit në të gjithë rajonin”, tha për “Zërin e Amerikës” në gjuhën serbe, gjeneral brigade Giampiero Romano – i cili shërben si Shef i Zyrës Ndërlidhëse Ushtarake të NATO-s në Beograd.

Në përgjigjen e tij me shkrim, Romano saktësoi se vendimi për të ndërhyrë në mars të vitit 1999 është marrë pas më shumë se një viti luftimesh në Kosovë dhe përpjekjeve të pasuksesshme për zgjidhjen e konfliktit në rrugë diplomatike me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare.

“NATO luajti një rol kyç në përfundimin e konflikteve dhe krizave humanitare që ndodhën në rajon gjatë viteve nëntëdhjetë”, saktësoi Romano, transmeton Klankosova.tv.

Një çerek shekulli pas ndërhyrjes së NATO-s, ende nuk dihet numri zyrtar i viktimave. Shteti i Serbisë asnjëherë nuk ka publikuar të dhëna për viktimat dhe publiku në mënyrë arbitrare po flet për numrat nga 1200 deri në 4000 persona.

Sipas bilancit të përbashkët të organizatave joqeveritare, Fondi për të Drejtën Humanitare në Serbi dhe Kosovë, i cili publikoi një listë me emra në vitin 2014, kanë vdekur gjithsej 754 persona: 454 civilë dhe 300 pjesëtarë të forcave të armatosura.

Në mesin e civilëve janë 219 civilë shqiptarë, 207 nacionalitete serbe dhe malazeze, 14 romë dhe 14 persona të nacionaliteteve të tjera. U vranë gjithsej 274 pjesëtarë të Ushtrisë/MPB-së Jugosllave dhe 26 pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), siç raporton VOA.

Ndërhyrja e NATO-s përfundoi me një marrëveshje në Kumanovë, qytet në Maqedoninë e Veriut, më 10 qershor 1999. Autoritetet në Beograd ranë dakord për tërheqjen e ushtrisë dhe policisë dhe Kosova u vendos nën administrimin e Kombeve të Bashkuara. Trupat e misionit paqeruajtës të Aleancës – KFOR janë dislokuar në Kosovë dhe janë ende të pranishme.

Romano tha se prezenca i forcave paqeruajtëse në Kosovë ka qenë për më shumë se dy dekada indikatori më i dukshëm i përkushtimit për siguri të përhershme.

Një çerek shekulli pas përfundimit të luftës, Kosova dhe Serbia janë duke dialoguar për normalizimin e marrëdhënieve – me mungesë të iniciativave serioze për pajtim. Në vend të kësaj, liderët e tyre përdorin retorikë të ashpër e cila, deri më tani, është treguar se nxit më tej tensionet.

Romano nënvizon se NATO vazhdon të mbështesë procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

“Të gjitha palët duhet të përmbahen nga lëvizjet dhe retorika që shkaktojnë tensione dhe ndarje. Është e nevojshme që ata të angazhohen në dialog me mirëbesim me mbështetjen e BE-së – që është e vetmja rrugë drejt sigurisë dhe stabilitetit të përhershëm në rajon”, saktësoi Giampiero Romano.

Për më shumë se një dekadë e gjysmë, Serbia ka qenë një vend ushtarakisht neutral – por edhe një anëtar i “Partneritetit për Paqe” – program politiko-ushtarak i Aleancës që synon ndërtimin e besimit midis vendeve anëtare, vendeve të tjera evropiane dhe ish-Bashkimit Sovjetik.

Shefi i zyrës ndërlidhëse ushtarake të NATO-s në Beograd theksoi se marrëdhëniet mes Aleancës dhe Serbisë kanë përparuar dukshëm në krahasim me vitet nëntëdhjetë të shekullit të kaluar.

“Ne kemi zhvilluar bashkëpunim të mirë në një sërë fushash, duke përfshirë sigurinë energjetike, luftën kundër terrorizmit dhe shtypjen e rreziqeve kimike, biologjike, radiologjike dhe bërthamore. Gjithashtu, NATO ndihmon Serbinë në trajnimin e forcave të saj për angazhim në misionet paqeruajtëse ndërkombëtare, të cilat udhëhiqen nga BE dhe OKB, si dhe në përmirësimin e sistemit arsimor në fushën e mbrojtjes”, tha Romano, gjeneral brigade dhe shef i zyrës ushtarake të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut në Beograd në një përgjigje me shkrim për “Zërin e Amerikës”.

Në të kaluarën e afërt, Serbia, përkundër shpalljes së moratoriumit për stërvitjet ushtarake ndërkombëtare, ishte nikoqire e stërvitjes “Ujku i Platinit”. Qeveria e Serbisë e pezulloi moratoriumin e vendosur një herë në vitin 2023 – dhe partneri i Forcave të Armatosura Serbe ishin Forcat e Armatosura të Shteteve të Bashkuara, një nga anëtarët më të shquar të NATO-s. /Klankosova.tv

TË FUNDIT