Shkencëtarët: Shenjat klimatike po sinjalizojnë alarm të kuq
S

Shkencëtarët: Shenjat klimatike po sinjalizojnë alarm të kuq

Nga ndotja me karbon te ngritja e nivelit të detit dhe ngrohja globale, ritmi dhe niveli i treguesve kryesorë të ndryshimeve klimatike janë në territor të panjohur, paralajmëruan të enjten mbi 60 shkencëtarë të njohur.

Emetimet e gazeve serrë nga djegia e lëndëve fosile dhe shpyllëzimi arritën një rekord të ri në vitin 2024, dhe në dekadën e fundit mesatarja ka qenë 53.6 miliardë ton në vit — që përkthehet në 100 mijë ton për minutë — e dioksidit të karbonit ose ekuivalentëve të tjerë, sipas një raporti të rishikuar nga kolegët.

Temperatura mesatare e sipërfaqes së Tokës vitin e kaluar e kaloi për herë të parë kufirin 1.5°C, dhe sasia shtesë e CO₂ që njerëzimi mund të emetojë për të pasur një shans prej 66% për të qëndruar nën këtë prag në afatgjatë — i ashtuquajturi “buxhet i karbonit për 1.5°C” — do të shterohet për vetëm disa vite, sipas përllogaritjeve.

Investimet në energjinë e pastër sipas Arabnews, tejkaluan ato në naftë, gaz dhe qymyr në raportin dy me një në vitin e kaluar, por karburantet fosile ende përbëjnë mbi 80% të konsumit global të energjisë, dhe rritja e burimeve të rinovueshme ende nuk e përmbush kërkesën në rritje.

Kufiri 1.5°C, i përfshirë si qëllim aspirues në Marrëveshjen e Parisit të vitit 2015, është konfirmuar nga shkenca si i domosdoshëm për të shmangur një botë me pasoja katastrofike klimatike.

Kufiri i ngurtë për ngrohjen, mbi të cilin u dakorduan afro 200 shtete, ishte “dukshëm nën 2°C”, zakonisht i interpretuar si 1.7°C deri 1.8°C.

“Ne jemi tashmë në një periudhë kritike për këto nivele të larta të ngrohjes”, tha bashkautori Joeri Rogelj, profesor i shkencës dhe politikave klimatike në Imperial College London. “Tre ose katër dekadat e ardhshme përbëjnë periudhën ku pritet kulmi i ngrohjes.”

Studimi i publikuar në Earth System Science Data thekson se jo më pak shqetësuese sesa nxehtësia rekord dhe emetimet janë ritmet me të cilat po përkeqësohen të gjithë treguesit.

Ngrohja e shkaktuar nga njerëzit u rrit në dekadën e fundit me një ritëm “pa precedent në të dhënat instrumentale”, tejkalon edhe mesataren e 2010–2019 të regjistruar në raportin e fundit të IPCC-së (Paneli Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike) të OKB-së në 2021.

Zbulimet e reja – të udhëhequra nga të njëjtët shkencëtarë me metodologji të ngjashme – ofrojnë një përditësim të paautorizuar, por të besueshëm të raporteve zyrtare të IPCC-së që përbëjnë bazën e diplomacisë klimatike globale.

Ato duhet të shërbejnë si sinjal alarmi për politikëbërësit.

“Unë zakonisht jam person optimist,” tha autori kryesor Piers Forster, drejtor i Qendrës Priestley për të Ardhmen Klimatike në Universitetin e Leeds. “Por nëse e shikon këtë përditësim të këtij viti, gjithçka po shkon në drejtim të gabuar.”

Shkencëtarët thanë se edhe ritmi me të cilin po ngrihet niveli i detit është alarmant:
Nga një ngritje mesatare nën 2 mm/vit nga viti 1901 deri më 2018, oqeanet kanë shënuar një rritje prej 4.3 mm në vit që nga viti 2019.

Rritja prej 23 cm në nivelin e detit gjatë 125 viteve të fundit – sa gjerësia e një flete A4 – ka rrezikuar shumë shtete ishullore të vogla dhe ka shumëfishuar fuqinë shkatërruese të stuhive detare.

Një rritje tjetër prej 20 cm deri më 2050 pritet të shkaktojë dëme nga përmbytjet në vlerën e një trilion dollarëve në vit, vetëm në 136 qytetet më të mëdha bregdetare të botës.

Një tjetër tregues kritik është pabarazia energjetike e Tokës – diferenca mes energjisë diellore që hyn në atmosferë dhe asaj që del prej saj.

Deri tani, 91% e nxehtësisë së tepërt të shkaktuar nga njerëzit është absorbuar nga oqeanet, duke mbrojtur jetën në tokë.

Por ky disbalancë është dyfishuar në 20 vitet e fundit, dhe shkencëtarët nuk e dinë se për sa kohë oqeanet do të mund të vazhdojnë të thithin këtë nxehtësi shtesë.

Pasojat e rënda klimatike për dekadën apo dy të ardhshme tashmë janë të pashmangshme, por e ardhmja afatgjatë mbetet në duart tona, theksojnë shkencëtarët.

“Ne do ta arrijmë shpejt nivelin 1.5°C të ngrohjes globale,” tha bashkautorja dhe ish-bashkëkryetare e IPCC-së, Valerie Masson-Delmotte.

“Por çfarë ndodh më pas, varet nga zgjedhjet që do të bëjmë.”

Marrëveshja e Parisit parashikon mundësinë e uljes së temperaturave nën 1.5°C para fundit të këtij shekulli.

Megjithatë, në prag të një samiti të rëndësishëm për klimën që do të mbahet në Brazil në fundvit, bashkëpunimi ndërkombëtar është dobësuar nga tërheqja e SHBA-së nga marrëveshja.

Sipas ekspertëve, shkatërrimi i politikave klimatike të brendshme nga Presidenti Donald Trump e bën të pamundur që SHBA të arrijë objektivat e saj për reduktimin e emetimeve, duke rrezikuar të ndikojë negativisht edhe në përkushtimin e shteteve të tjera. /AutoPortali

TË FUNDIT