Sipas The Guardian, shkencëtarët kanë arritur të përdorin baktere për të kthyer mbeturinat plastike në paracetamol, duke hapur rrugën për një mënyrë më të qëndrueshme të prodhimit të këtij ilaçi të zakonshëm kundër dhimbjeve.
Një ekip kimistësh nga Universiteti i Edinburgut ka zbuluar se bakteret E. coli mund të prodhojnë paracetamol nga një material i nxjerrë nga shishet plastike të ricikluara.
“Pak njerëz e dinë se paracetamoli aktualisht prodhohet nga derivatet e naftës,” u shpreh profesori Stephen Wallace, autori kryesor i studimit.
“Ajo që tregon kjo teknologji është se duke bashkuar kiminë dhe biologjinë, mund të prodhojmë paracetamol në mënyrë më të qëndrueshme, duke reduktuar njëkohësisht ndotjen plastike.”
Në një artikull të publikuar në revistën Nature Chemistry, ekipi sqaroi se përdori plastikën PET – e zakonshme në ambalazhet ushqimore dhe shishet e pijeve – dhe përmes metodave të qëndrueshme kimike e konvertoi atë në një material të ri.
Ky material, kur u inkubua me një shtam të padëmshëm të E. coli, u transformua në PABA – një substancë që bakteret zakonisht e prodhojnë për rritjen dhe sintezën e ADN-së. Bakteret ishin modifikuar gjenetikisht që të mos mund ta prodhonin PABA vetë, duke i detyruar të përdornin materialin e nxjerrë nga PET-i.
Për më tepër, studiuesit zbuluan se një reagim kimik i quajtur “Lossen rearrangement” – i njohur për kërkimin e kushteve të ashpra laboratorike – ndodhi spontanisht brenda qelizave, i katalizuar nga fosfati i pranishëm në to.
Duke shkuar më tej, shkencëtarët futën në E. coli dy gjene të reja, një nga kërpudhat dhe një nga bakteret e tokës, të cilat i mundësuan baktereve ta shndërrojnë PABA-n në paracetamol.
Rezultatet treguan se në më pak se 24 orë, plastika e ricikluar mund të shndërrohej në paracetamol me ndotje të ulët dhe një rendiment prej deri në 92%.
Edhe pse ky proces kërkon ende zhvillime për t’u aplikuar në shkallë industriale, shkencëtarët besojnë se ka potencial praktik të madh.
“Kjo është hera e parë që mundësohet një rrugë direkte nga mbeturinat plastike deri te prodhimi i paracetamolit – diçka që nuk ishte e mundur as vetëm me biologji, as vetëm me kimi,” përfundoi Wallace. /AutoPortali



