Si ta dezinfektoni vetë kondicionerin e makinës dhe pse është e rëndësishme?
S

Si ta dezinfektoni vetë kondicionerin e makinës dhe pse është e rëndësishme?

Nëse ndieni një erë të pakëndshme që vjen nga kondicioneri i makinës, kjo mund të jetë shenjë se është koha për një pastrim të mirëfilltë. Erërat zakonisht shkaktohen nga kërpudhat dhe bakteret që grumbullohen në sistemin e ajrit, veçanërisht në avullues, duke sjellë jo vetëm aromë të keqe, por edhe mundësi për shfaqjen e simptomave të ngjashme me ftohjen.

Zgjidhja më e sigurt është ta çoni makinën në një qendër servisi dhe t’ua lini punën profesionistëve. Por nëse nuk keni kohë ose doni të kurseni, mund ta bëni vetë këtë proces – thjesht dhe me pak shpenzime, transmeton AutoPortali.

Metoda me sprej dezinfektues

Në treg gjenden sprej të posaçëm për pastrimin e kondicionerëve, me çmim që nis nga 7 euro. Këta sprej vendosen në dyshemenë e makinës, pranë sediljes së pasagjerit. Vendosni një peshqir apo leckë të madhe poshtë sprejit për të mbrojtur sipërfaqet plastike. Më pas, ndizni motorin, vendosni kondicionerin në riciklim dhe lëreni të punojë për rreth 15 minuta me të gjitha dyert mbyllur. Mos harroni të keni një çelës rezervë me vete për çdo rast.

Pastrim me shkumë – më i thelluar, pak më i ndërlikuar

Një mënyrë tjetër është përdorimi i shkumës dezinfektuese, me çmim që nis nga 9 euro. Kjo metodë kërkon heqjen e filtrit të kondicionerit dhe aplikimin e shkumës në avullues dhe në të gjitha vrimat e ventilimit përmes një tubi të hollë. Pas 30 minutash pritje, ndizni motorin dhe kondicionerin në maksimum, me të gjitha vrimat e ventilimit të hapura.

Mos neglizhoni filtrin e kabinës

Për të mbajtur sistemin e ajrit në gjendje të mirë, rekomandohet ndërrimi i filtrit të kabinës të paktën një herë në pranverë, ose idealisht dy herë në vit. Një filtër i bllokuar ul rrjedhën e ajrit dhe efikasitetin e kondicionerit.

Pastrimi i kondicionerit është një hap i vogël që mund të sjellë ndryshime të mëdha në komoditetin dhe shëndetin tuaj gjatë ngasjes.

TË FUNDIT