Një rregull i përdorur dikur në Formula 1, ku rezultatet më të këqija të pilotëve nuk llogariteshin në renditje, mund ta bënte garën për titullin 2025 mes Lando Norris dhe Oscar Piastri më të barabartë.
Në të kaluarën, kur problemet teknike ishin të shpeshta, F1 lejonte që pilotët të “hidhnin poshtë” rezultatet më të dobëta. Kjo ndihmonte në shmangien e ndikimit të fatit të keq dhe përqendrimin tek performanca më e mirë.
Nëse ky sistem do të zbatohej sot (me një rezultat të hedhur poshtë për çdo gjysmësezon), atëherë dështimi i Norris në Zandvoort nuk do të ndikonte në renditjen e tij, do të llogaritej si “rezultati i flakur”.
Nga ana tjetër, Piastri do të humbiste 18 pikët nga Hungaria, pasi do të konsiderohej rezultati i tij më i dobët në gjysmën e dytë të sezonit.
Megjithëse ky sistem është ndërlikuar dhe u hoq në fillim të viteve ‘90 për të thjeshtuar kampionatin, në raste si ky, ku një problem teknik mund të ndikojë drejtpërdrejt në titull, ai ngjall diskutim për drejtësinë.

Sot, diferenca prej 34 pikësh mes Piastrit dhe Norrisit mund të mos reflektojë realisht diferencën në performancë – sidomos kur ata shpesh ndahen me qindra të sekondës në kualifikime.



