Kur kanë mbetur më pak se 100 ditë nga fillimi i Lojërave Olimpike “Paris 2024”, ambientalistët francezë kanë pasqyruar gjendjen “alarmante” të ujërave të lumit Sena, ku janë planifikuar disa gara.
Nga 14 matjet e kryera nga shoqatat, nga fundi i shtatorit 2023 dhe fundi i marsit 2024, midis urës Aleksandrit III dhe urës Alma, pikërisht ku do të zhvillohen garat e triathlonit dhe notit në ujë të hapur, 13 rezultuan të jenë “sipër ose shumë më lart” kufijve të rekomanduar për larje.
Ky lajm nuk është pëlqyer nga Anne Hidalgo, kryetarja e Bashkisë së Parisit dhe presidenti Emmanuel Macron. Ata njoftuan se në javët para Lojërave, do të zhyten vetë për t’u larë në atë ujërat e Senës.
Në veçanti, polemika kishte shpërthyer për një rrjedhje uji që kishte ndodhur pak kohë më parë dhe që Bashkia e konsideroi “një aksident të rëndësisë dytësore”.
Gjithsesi, situata po monitorohet, teksa në këto ujëra do të zhvillohet edhe ceremonia e hapjes së Lojërave Olimpike. Ky event nuk do të zhvillohet në stadiumin olimpik por në terren të hapur.



