Në prag të përballjes vendimtare të Champions League ndaj Napolit, klubi i Chelseat ka konfirmuar se dy tifozë të tyre janë dërguar në spital pas një incidenti të ndodhur mbrëmjen e kaluar në qytetin e Napolit.
Sipas njoftimit zyrtar të klubit londinez, dy mbështetësit kanë pësuar lëndime që, fatmirësisht, nuk paraqesin rrezik për jetën, por kanë pasur nevojë për trajtim mjekësor. Lajmi është raportuar edhe nga mediat italiane, ndërsa autoritetet lokale po merren me rastin.
Pas këtij incidenti, Chelsea ka lëshuar një udhëzim të posaçëm për të gjithë tifozët që ndodhen në Napoli për ndeshjen, duke u bërë thirrje të tregojnë “kujdes maksimal”, të ndjekin me përpikëri rekomandimet e sigurisë dhe të qëndrojnë vigjilentë gjatë gjithë qëndrimit në qytet.
Në këshillat e publikuara, tifozët e Chelseat janë inkurajuar të shmangin lëvizjen e vetëm nëpër qytet, të mos mbajnë veshje apo simbole që i identifikojnë si mbështetës të klubit dhe të përdorin transportin zyrtar drejt stadiumit nën shoqërimin e policisë.
Rreth 2,500 tifozë të Chelseat pritet të jenë të pranishëm në stadium për ndeshjen ndaj Napolit, e cila ka rëndësi vendimtare për sigurimin e një vendi në fazën e 1/8-ve të Champions League.
Klubi i Premier League ka përsëritur edhe një herë thirrjen për kujdes, duke u kërkuar mbështetësve që të respektojnë udhëzimet e sigurisë dhe të shmangin çdo situatë të rrezikshme para sfidës së së mërkurës mbrëma. /AutoPortali



