Sot pritet të zgjidhet kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, në kuadër të Kuvendit Zgjedhor që do të mbahet nga ora 11:00 në Prishtinë.
Në këtë kuvend, delegatët do të vendosin për presidentin e FFK-së për mandatin e ardhshëm katërvjeçar, 2026–2030.
Kandidat i vetëm në garë është presidenti aktual, Agim Ademi, i cili synon mandatin e tij të tretë në krye të institucionit më të lartë të futbollit kosovar.
Ademi mori drejtimin e FFK-së pas ndarjes nga jeta të legjendës së futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri.
Në rend të ditës është paraparë gjithashtu edhe zgjedhja e anëtarëve të rinj të Komitetit Ekzekutiv të FFK-së.
Në Kuvend kanë paralajmëruar pjesëmarrjen figura të rëndësishme të futbollit vendor dhe ndërkombëtar, përfshirë Armand Dukën, zëvendëspresident i UEFA-s, përfaqësues të UEFA-s dhe FIFA-s, si dhe përfaqësues nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Komiteti Olimpik i Kosovës.
Data e mbajtjes së këtij kuvendi, më 5 shkurt, ka nxitur reagime të ndryshme, përfshirë edhe MKRS-në, e cila ka kërkuar që paraprakisht të bëhet harmonizimi i statutit të FFK-së me legjislacionin vendor dhe me rregulloret e UEFA-s dhe FIFA-s.
Megjithatë, një shkresë nga këto dy institucione ndërkombëtare ka konfirmuar se Kuvendi është legjitim dhe ka kërkuar që të mos ketë ndërhyrje nga palë të treta në këtë proces.
Gjatë kësaj mbledhjeje pritet të miratohet edhe buxheti i FFK-së për vitin 2025, i cili është planifikuar të jetë rreth 25 milionë euro. /AutoPortali



