Sot plotësohen edhe tri vendet e fundit për EURO 2024
S

Sot plotësohen edhe tri vendet e fundit për EURO 2024

Kanë mbetur edhe tri vende të lira në EURO 2024 dhe këto  vende do të plotësohen sot, pas përfundimit të tri ndeshjeve finale.

Uellsi-Polonia, Ukraina-Islanda dhe Gjeorgjia-Greqia janë tri finalet e ‘Play-off’-it të Ligës së Kombeve, ku do të përcaktohen tri kombëtaret e fundit që do të luajnë në Kampionatin Europian që do të zhvillohet në Gjermani duke nisur nga 14 qershori.

Finalja e Ligës A sjell një përballje interesante mes Uellsin që do të presë Poloninë. Uellsi eliminoi në gjysmëfinale Finlandën pa probleme, ndërkohë që në anën tjetër polakët shpartalluan 5-1 Estoninë, duke mos e vënë në dyshim kalimin më tej. Kujtojmë se fituesja e këtij çifti do të vendoset në Grupin D me Holandën, Austrinë dhe Francën.

Ukraina, pasi eliminoi në mënyrë dramatike Bosnje e Hercegovinën në Sarajevë, duke përmbysur shifrat vetëm në pesë minuta e fundit tani do të matë forcat me Islandën. Vikingët eliminuan Izraelin në gjysmëfinale e nuk duhen nënvlerësuar. Ndeshja do të luhet në Poloni, për shkak të situatës në Ukrainë. Me interes presin edhe Belgjika, Sllovakia dhe Rumania, për të mësuar kundërshtarin që do të kenë përballë në Grupin E, ku do të bashkohet fituesja e ndeshjes Ukrainë-Islandë.

Greqia do të vizitojë Tibilisin, ku do të matë forcat me Gjeorgjinë, në finalen e Ligës C. Helenët fituan me rezultat të thellë 5-0 ndaj Kazakistanit në ndeshjen e së enjtes, ndërsa Gjeorgjia fitoi 2-0 ndaj Luksemburgut. Skuadra që do të triumfojë mes Greqisë dhe Gjeorgjisë do të luajë në Europian me Portugalinë, Çekinë dhe Turqinë në Grupin F.

TË FUNDIT