Spanja – Franca, sonte përcaktohet finalistja e parë
S

Spanja – Franca, sonte përcaktohet finalistja e parë

Përballja në mes dy superfuqive të futbollit, Spanjës e Francës, e cila fillon në orën 21:00, do të përcaktojë kombëtaren e parë finaliste të Kampionatit Evropian EURO 2024.

Klasikët që kemi pasur deri më tani në Kampionatin Evropian, veçanërisht në të cilën luajti Franca, nuk i përmbushën pritshmëritë, por Derisa spanjollët mund të thuhet se kanë treguar më së shumti në pjesën e deritashme të Evropianit, duke mposhtur të gjithë kundërshtarët, francezët na kanë ende shumë borxhe.

Megjithatë, Kylian Mbappe dhe skuadra e tij sigurisht që kanë shumë në rezervë dhe nëse arrijnë të gjejnë formën e duhur në kohë, dhe tani është koha, ata kanë diçka për të shpresuar ndaj ‘Furisë së Kuqe’.

Spanja ka probleme serioze me lëndime dhe pezullime dhe do të luajë pa tre lojtarë standardë të ekipit të parë, pa të cilët loja e tyre është e paimagjinueshme. Bëhet fjalë për dyshen mbrojtëse Dani Carvajal – Robin Le Normand dhe mesfushorin me tipare sulmuese Pedri, të cilët nuk do të luajnë sonte.

Nga ana tjetër, francezët po llogarisin në të gjithë lojtarët e tyre, por pyetja kyçe për ta do të jetë si do të paraqitet Mbappe, i cili shënoi vetëm një gol dhe atë nga penalltia në këtë Evropian.

Francezët gjithashtu nuk shënuan asnjë gol nga loja, sepse me penalltinë e sipërpërmendur të Mbappe, ata patën fat dhe festuan dy autogola të rivalëve të tyre, të cilët u mjaftuan për t’u kualifikuar në gjysmëfinale.

Ndeshja luhet në “Allianz Arena” dhe do të drejtohet nga gjyqtari slloven Slavko Vincic. Kujtojmë se në gjysmëfinalen e dytë, nesër do të takohen Anglia dhe Holanda

TË FUNDIT