Spanjollët me skandal para ndeshjes ndaj Dardanëve, e quan shtetin e Kosovës territor
S

Spanjollët me skandal para ndeshjes ndaj Dardanëve, e quan shtetin e Kosovës territor

Një tjetër skandal diplomatik me përmasa sportive ka shpërthyer pas publikimit të një materiali zyrtar nga Kombëtarja Spanjolle e Futbollit, vetëm disa orë para përballjes mes Kosovës dhe Spanjës U21 në kuadër të kualifikimeve për Euro 2027.

Në një postim në faqen zyrtare të Federatës Spanjolle të Futbollit në Facebook, ku paralajmërohet ndeshja e sontme që zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, Spanja i referohet Kosovës si “territor”, duke përdorur formulimin: “Territori i Kosovës”.

Ky veprim ka shkaktuar indinjatë në opinionin publik në Kosovë dhe më gjerë, duke u cilësuar si fyes dhe jodiplomatik, veçanërisht në kontekstin e një ngjarjeje sportive që sipas normave ndërkombëtare duhet të jetë neutrale dhe gjithëpërfshirëse.

Spanja është një nga vendet e pakta të Bashkimit Evropian që ende nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, megjithatë ekipet sportive kosovare dhe institucionet e futbollit tashmë janë pjesë e plotë e UEFA-s dhe FIFA-s që nga viti 2016.

Referimi si “territor” shkon hapur në kundërshtim me protokollet e organizatave ndërkombëtare sportive, të cilat e trajtojnë Kosovën si një shtet të barabartë në garat zyrtare.

Ky nuk është incidenti i parë i këtij lloji nga pala spanjolle. Në të kaluarën, në ndeshje të ndryshme mes ekipeve përfaqësuese, autoritetet sportive të Spanjës janë përpjekur të shmangin përdorimin e flamurit të Kosovës ose ta trajtojnë vendin me emërtime jozyrtare dhe të paqarta.

Edhe gjatë ndeshjes së vitit 2021 në kualifikimet për Kupën e Botës, flamuri dhe emri i Kosovës u zëvendësuan me simbole neutrale në transmetimin televiziv spanjoll.

Deri më tani, Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) nuk ka reaguar zyrtarisht, por pritet që ngjarja të ngjallë reagime të forta në qarqet sportive dhe institucionale, duke kërkuar sqarime nga UEFA dhe, nëse është e nevojshme, edhe masa disiplinore ndaj Federatës Spanjolle.

Ky incident hedh një tjetër hije mbi sfidën sportive të sontme mes Kosovës U21 dhe Spanjës U21, e cila pritej të ishte një festë futbolli për të rinjtë, por që tani ka marrë ngjyra të tensionuara politike. /AutoPortali

TË FUNDIT