Këtë fundjavë, Formula 1 hap një kapitull të ri me debutimin e pistës së re urbane “MadRing” në Madrid, e cila do të presë për herë të parë Çmimin e Madh të Spanjës.
Edhe pse projekti fillimisht u prit me skepticizëm dhe u konsiderua si rivalitet politik me Barcelonën, drejtuesi i Formula 1, Stefano Domenicali, thotë se Madridi është gati për një spektakël të jashtëzakonshëm.
Domenicali theksoi se pista ka një konfigurim të veçantë dhe shumë të vështirë, ku edhe gabimi më i vogël mund të kushtojë shtrenjtë. Testet e Formula 2 dhe Formula 3 kanë treguar se asfalti madrilen është mjaft kërkues.
“Nuk ka qenë kurrë një rivalitet mes Barcelonës dhe Madridit. Synimi ynë është që gjithçka në Madrid të jetë në nivelin më të lartë”, tha Domenicali.
Ai zbuloi gjithashtu se pilotët Carlos Sainz, Charles Leclerc dhe Lewis Hamilton janë impresionuar nga pista dhe atmosfera në zonën e bokseve.
)
Një tjetër pikë e rëndësishme është qëndrueshmëria. Rreth 90% e tifozëve do të mund të arrijnë në pistë nga qendra e Madridit me transport publik, duke reduktuar trafikun dhe emetimet.
Me biletat që po shiten me ritme të larta dhe një sezon që po thyen rekorde shikueshmërie, debutimi i “MadRing” pritet të jetë një nga ngjarjet më të mëdha të Formula 1 këtë vit.



