Muaji tetor sjell rikthimin e ndeshjeve kualifikuese për Kampionatin Botëror 2026, dhe Kombëtarja e Suedisë ka publikuar sot listën zyrtare të futbollistëve të ftuar për dy përballjet e radhës, ndaj Zvicrës dhe Kosovës.
Për herë të parë pas një dekade, në listë mungon emri i portierit të njohur Robin Olsen, i cili ka vendosur të tërhiqet nga Kombëtarja. Vendimi i tij për pensionim erdhi pas prishjes së raporteve me selektorin Jon Dahl Tomasson, duke mbyllur kështu një kapitull të rëndësishëm në portën e suedezëve.
Olsen, që ka qenë një nga figurat kyçe të Suedisë në kampionate të mëdha si Botërori 2018 dhe Euro 2020, njoftoi largimin e tij vetëm një ditë para publikimit të listës, çka e bën edhe më të ndjeshëm largimin e tij nga përfaqësuesja.
Suedia do të përballet fillimisht me Zvicrën më 10 tetor, ndërsa më pas, më 13 tetor, do të presë Kombëtaren e Kosovës, në një sfidë që pritet me interes të madh, veçanërisht për shqiptarët që luajnë në të dyja kampet.
Lista e publikuar nga Tomasson përfaqëson një kombinim mes emrave me përvojë dhe talenteve të rinj që synojnë të rikthejnë Suedinë në një turne madhor, pas mungesës në Botërorin e fundit.



