Një skenë e pazakontë u regjistrua gjatë një aktiviteti promovues të librit të Luis Rubiales në Madrid, kur ish-kreu i Federatës Spanjolle të Futbollit u godit me vezë nga një person që, sipas mediave spanjolle, është identifikuar si xhaxhai i tij, Luis Rubén Rubiales.
Pamjet televizive kapën momentin e tensionuar, teksa disa vezë u hodhën në drejtim të Rubiales: njëra shpërtheu mbi xhaketën e tij, ndërsa një tjetër e goditi në dorë.
Sipas dëshmitarëve, agresori ka bërtitur: “Mos u shqetëso, s’ka asgjë,” pak çaste para se të kryente sulmin.
Rubiales u pa duke u përpjekur t’i afrohej personit që e sulmoi, duke kërkuar që ai të identifikohej dhe t’i vihej në pranga.
Policia spanjolle konfirmoi më vonë se një person është ndaluar jashtë sallës, megjithëse nuk publikoi emrin.
Ngjarja shton më tej tensionet brenda familjes së Rubiales, ku edhe një tjetër xhaxha i tij, Juan Rubiales, ka qenë prej kohësh një kritik i hapur i ish-presidentit të RFEF.



