Sylvinho-s i mbushet mendja, fton yllin shqiptar që po shkëlqen në Itali
S

Sylvinho-s i mbushet mendja, fton yllin shqiptar që po shkëlqen në Itali

Kristian Shpendi ka marrë më në fund lajmin që ka pritur prej kohësh, ftesën për të qenë pjesë e Kombëtares A të Shqipërisë.

Sulmuesi i talentuar, i cili më parë ka përfaqësuar ngjyrat kuqezi me ekipet U19 dhe U21, do të jetë pjesë e grumbullimit të trajnerit Sylvinho për ndeshjet e muajit shtator.

Mediat italiane raportojnë se në zyrat e Cesenës ka mbërritur zyrtarisht ftesa nga Federata Shqiptare e Futbollit për sulmuesin 21-vjeçar, i cili pritet të debutojë me ekipin e parë të Shqipërisë në dy ndeshjet e ardhshme, transmeton AutoPortali.

E para është një miqësore ndaj Gjibraltarit, ku Sylvinho pritet të eksperimentojë me disa prurje të reja, përfshirë edhe Shpendin.

Ndeshja e dytë, shumë më e rëndësishme, është ajo ndaj Letonisë, një sfidë zyrtare në kuadër të kualifikueseve për Kampionatin Botëror, ku Shqipëria synon të vazhdojë rrugëtimin e saj pozitiv.

Selektori Sylvinho nuk e kishte përfshirë më parë në listat e tij, ndërsa tani duket se ai ka ndryshuar mendje dhe e sheh 21-vjeçarin si një alternativë serioze për repartin ofensiv të kuqezinjve.

Shpendi, me instinktin e tij të golit dhe ritmin e rritur në kampionatin italian, ka të gjitha mundësitë që të lërë gjurmë edhe në arenën ndërkombëtare, teksa nis një kapitull të ri me ekipin A të Shqipërisë. /AutoPortali

TË FUNDIT