Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, së bashku me presidentin e CONMEBOL-it, Alejandro Dominguez, dhe drejtues të lartë të federatave të futbollit, janë takuar në New York për të diskutuar propozimin për zgjerimin e Kupës së Botës 2030 në 64 ekipe, raporton ESPN.
Iniciativa për këtë zgjerim ka ardhur nga delegacioni i Uruguait, përmes presidentit të federatës lokale, në emër të konfederatës së Amerikës së Jugut, CONMEBOL.
Infantino ka intensifikuar diplomacinë futbollistike, duke vizituar së fundmi Marokun për të siguruar mbështetjen e vendeve afrikane, si dhe ka zhvilluar bisedime me përfaqësues të një prej federatave kryesore në Azi.
Kupa e Botës 2030, që shënon 100-vjetorin e turneut më prestigjioz, pritet të zhvillohet në gjashtë vende përkatësisht në tre kontinente:
Marok, Spanjë dhe Portugali në Evropë dhe Afrikë, si dhe Uruguai, Argjentinë dhe Paraguai në Amerikën e Jugut.
Sipas planifikimeve aktuale, secili nga vendet e Amerikës së Jugut do të presë nga një ndeshje, kryesisht për të simbolizuar origjinën e turneut edicioni i parë ishte mbajtur pikërisht në Montevideo të Uruguait më 1930.
Nëse zgjerimi në 64 ekipe miratohet, CONMEBOL mund të përfitojë deri në 10 vende kualifikuese, duke rritur ndjeshëm shanset për pjesëmarrje të ekipeve të tjera nga rajoni. Aktualisht, Venezuela mbetet i vetmi shtet i Amerikës së Jugut që nuk ka marrë pjesë në një fazë finale të Kupës së Botës.
Për krahasim, edicioni i ardhshëm, Kupa e Botës 2026, do të zhvillohet me 48 ekipe, duke u larguar për herë të parë nga formati tradicional me 32 skuadra.



