Tifozët qipriotë me thirrje nacionaliste serbe për shtetin e Kosovës
T

Tifozët qipriotë me thirrje nacionaliste serbe për shtetin e Kosovës

Një tjetër incident me tone të rënda provokuese ndaj Kosovës ka ndodhur mbrëmë në Beograd, gjatë ndeshjes së play-off-it të Champions League mes Crvena Zvezdës dhe Pafosit.

Gjatë ndeshjes që u zhvillua në stadiumin “Rajko Mitiq”, tifozët e ekipit qipriot Pafos shfaqën një flamur të Serbisë të vendosur mbi hartën e Kosovës, me mbishkrimin “S’ka dorëzim”, një slogan i njohur për përmbajtje politike dhe provokuese, transmeton AutoPortali.

Ky veprim është një skandal i ri, që vjen vetëm pak ditë pas vendimit të UEFA-s për të gjobitur Lech Poznań dhe Partizan Beogradin për banerin e famëkeq me përmbajtje “Kosova është Serbi”, i shfaqur në një ndeshje evropiane.

Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta në opinionin sportiv dhe politik, ndërsa kërkohet që UEFA të ndërhyjë menjëherë me masa të ashpra ndëshkuese, për të parandaluar përsëritjen e skenave të tilla në stadiumet evropiane.

Zërat kritikë kërkojnë që institucioni më i lartë i futbollit në Evropë të tregojë zero tolerancë ndaj gjuhës së urrejtjes dhe simboleve që cënojnë sovranitetin dhe identitetin shtetëror të Kosovës.

UEFA pritet të shqyrtojë incidentin përmes mekanizmave të saj disiplinorë, ndërkohë që Kosova kërkon trajtimin serioz dhe të barabartë të rasteve që cenojnë integritetin e saj në garat ndërkombëtare. /AutoPortali

TË FUNDIT