Kampionati në Formula 1 vazhdon këtë fundjavë në pistën e famshme angleze të Silverstones. Gjithsesi, të gjithë flasin për incidentin e garës së fundi në Austri, ku protagonistë ishin Max Verstappen e Lando Norris. Përplasja mes tyre favorizoi George Russell, që i dha Mercedes fitoren e parë sezonale.
Shefi i Mercedes, Toto Wolff, duke folur për atë që ndodhi në pistë tha: “Max piloton fort dhe shtyn aq sa e lejojnë rregulloret. Kjo padyshim mund të jetë një temë diskutimi, por duhet të zbatohet për të gjithë pilotët. Ka shumë pilotë që po i shtyjnë kufijtë në një nivel që mund të gjykohet si i tepruar, ndaj duhet bërë qartësi”.

Më tej, Wolff ka prekur tema të ndryshme, duke nisur nga lamtumira e Hamiltonit. “Do të jetë interesante kur të veshë për herë të parë kostumin e kuq dhe të drejtojë një Ferrari për herë të parë. Por më pas do të jetë normale, ai thjesht do të ketë ngjyra të ndryshme veshur”.



