Nga Kazakistani ka ardhur një lajm tragjik. Luftëtari 17 vjeçar i MMA-së, Kanat Ahunov, ka vdekur gjatë meçit.
Situata tragjike ka ndodhur në rundin e dytë, kur i riu i humbi ndjenjat, ndërsa gjatë rënies në tokë e pësoi edhe një goditje të fortë nga rivali. Ndihma e shpejtë u mundua të bëjë diçka, por e tëra që e arriti ishte konstatimi i vdekjes.
“Erdhi dhe më tha që nuk është mirë, e hoqi mbrojtësen e dhëmbëve, ndërsa unë i dhash ujë. E pyeta nëse është gjithçka në rregull dhe a dëshiron të vazhdojë luftën. Më tha ‘po’, mori frymë thellë tri herë, por pas 20 sekondash u rrëzua. Goditja e rivalit ishte derisa ai po binte. Kjo mund të shihet në xhirim, nuk ka rënë nga goditja. Kur u rrëzua, rivali u gëzua, sepse mendoi se ka nokautuar. Vrapuam menjëherë, i hoqëm maskën e kokës dhe mbrojtësen e dhëmbëve. Menduam se ka ‘gëlltitur’ gjuhën, por ishte në vend. Mjekët konstatuan se zemra është ndalur dhe ka pasur arrest kardiak”, ka thënë trajneri i tij.



