E ardhmja e Erik ten Hag te Manchester United është në dyshim. Është një frazë e dëgjuar shpesh kohët e fundit. Arsyeja është e thjeshtë dhe e qartë për të gjithë. Manchester United ka pasur fillimin më të keq të një sezoni që nga 1989-90 në Premier League. Dhe pas barazimit 0-0 me Aston Villan ditën e djeshme, “Djajtë” gjenden në vendin e 14-të me vetëm 8 pikë pas 7 xhirosh.
Sipas informacioneve nga “Daily Mirror”, drejtuesit kryesorë të United, përfshirë bashkëpronarin Sir Jim Ratcliffe (INEOS), kanë caktuar një takim të gjatë për nesër dhe pozicioni i holandezit mund të jetë një nga temat kryesore për t’u diskutuar.

Drejtuesit e kanë përsëritur që janë në krah të Ten Hag, por ndërkohë flitet se gjermani Thomas Tuchel mund të marrë drejtimin e “Djajve të Kuq”.
20 herë kampionët e Anglisë thuhet se ishin të interesuar për Tuchel në verë pas largimit të tij nga Bayerni, por në fund krerët zgjodhën të mbanin Ten Hag, i cili zgjati kontratën e tij me një vit deri në vitin 2026. Por me vargun e fundit të rezultateve të dyshimta, edhe në Evropë, Manchester United po shqyrton seriozisht mundësinë e punësimit të trajnerit gjerman.



