Thomas Tuchel do të jetë trajneri i ri i Anglisë, ka konfirmuar Federata Angleze e Futbollit të mërkurën.
Gjermani do ta marrë drejtimin e “Tre Luanëve” duke filluar nga janari i vitit 2025.
“Jam shumë krenar që më është dhënë nderi të drejtoj ekipin e Anglisë. Kam ndier prej kohësh lidhje personale me lojën në këtë vend dhe më ka dhënë disa momente të pabesueshme deri tash. Të kesh mundësinë për të përfaqësuar Anglinë është privilegj i madh dhe mundësia për të punuar me këtë grup lojtarësh të veçantë dhe të talentuar është shumë emocionuese”, ka thënë 51-vjeçari.
Tuchel ka nënshkruar kontratë deri pas Kupës së Botës 2026.
Ishte papunë pas largimit nga Bayerni në fund të sezonit të kaluar. Në Premier League, e udhëhoqi Chelsean, skuadër me të cilën në vitin 2021 e fitoi Ligën e Kampionëve. Ai ka drejtuar edhe PSG-në e Borussia Dortmundin.



