Mike Tyson, në një konferencë për shtyp në SHBA, foli për ndeshjen e planifikuar më 15 nëntor në Teksas, datë e zgjedhur pas shtyrjes së asaj të planifikuar për 20 korrik për shkak të një problemi shëndetësor të legjendës 58-vjeçare të boksit.
“Pata një fatkeqësi të vogël. U sëmura, por tani ndihem mirë. Jam i përgatitur dhe gati”, për ndeshjen kundër YouTuber-it të kthyer në boksier, Jake Paul.
“Ai mund të ketë qenë në ring me njerëz që kishin të njëjtin synim, por realiteti është ndryshe. Sapo ta kap këtë djalosh gjithçka do të marrë fund, ai do të ikë si një hajdut”, vazhdoi Tyson, sipas asaj që raporton ESPN, duke folur për rivalin e tij, i cili është 27 vjeç.
Ndeshja do të zhvillohet në stadiumin AT&T në Arlington, me një kapacitet prej 80 mijë vendesh dhe do të konsiderohet ndeshje profesionale, në tetë raunde nga dy minuta secili.
Kur u pyet se cili ishte motivimi i tij, Tyson tha:
“Sepse unë mundem. Kush tjetër mund ta bëjë këtë përveç meje? Ne kemi një YouTuber që përballet me luftëtarin më të madh që ka jetuar ndonjëherë”.
Paul, i cili ka bilanc 10-1 në karrierën e tij si boksier, tha se ai “respekton dhe e do Mike, por ne nuk do të jemi miq deri më 15 nëntor”.



