Pas titujve që i vitoi në klasën e tij në kampionatet 2021 e 2022, Valdrin Krasniqi synon që sivjet ta fitojë titullin e tretë.
Ai është mobilizuar maksimalisht dhe beson që do të ketë një kampionat me shumë suksese.
“Jam i gatshëm për kampionatin e vitit 2024 dhe në gara hyj me një projekt të ri e shumë serioz. Pas sukseseve në vitet 2021 e 2022 kur dola kampion në klasën time, jam optimist se sivjet do të kem rezultate edhe më të mira”, ka thënë Krasniqi për faqen zyrtare të FASK-ut.
Sivjet ai do të garojë me veturën e tij të mëhershme, Opel Astra, por në të cilën ka bërë shumë investime.
“Vetura është me motor të ri 2000 cc dhe 100 për qind i homologuar. Do të garoj në Klasën 3, Grupi E1 dhe besoj se do të arrij rezultatet që i synoj për kampionatin e sivjetmë”, ka shtuar anëtari i AK Drenica.

Pavarësisht se konkurrenca do të jetë e fortë, Valdrini është optimist se do ta fitojë titullin e tretë në karrierën e tij.
Gara e parë në disiplinën malore në kalendar është më 25-26 maj në Grashticë.



