Vasseur tregon qartë dy synimet e Ferrarit
V

Vasseur tregon qartë dy synimet e Ferrarit

Në prag të Çmimit të Madh të Italisë në Monza, drejtuesi i Ferrarit Frederic Vasseur theksoi se skuadra është e përqendruar maksimalisht në projektin e madh për sezonin 2026, por pa e lënë pas dore luftën për vendin e dytë në kampionatin aktual.

“Nuk jemi marrë shumë me makinën e vitit 2025 prej muajsh,  të gjitha burimet tona janë përqendruar te monopostoja e 2026-s”, tha Vasseur. “Do ndryshojë gjithçka: motori, karburanti, goma, aerodinamika, rregulloret, është një revolucion i plotë në F1”.

Vasseur shtoi se Charles Leclerc dhe Lewis Hamilton janë të përgatitur për presionin që sjell Monza, edhe pse ky i fundit do niset me një penalizim prej pesë pozicionesh.

“Nuk e kemi apeluar dënimin e Hamilton, por kjo nuk do të thotë se isha dakord. Vendimi ishte i ashpër, pilotët nuk kanë gjithmonë kohë për të reaguar, ndaj duhen rregulla më të qarta”.

Ferrari synon vendin e dytë në renditjen e konstruktorëve, pas McLaren. Vasseur pranoi se në letër McLaren është më e shpejtë, por Ferrari ka treguar se mund të konkurrojë, si në pole position në Budapest apo vija e parë në Spa.

Ai përmendi edhe emocionet që sjell Monza dhe mbështetja e veçantë nga tifozët: “Pas fitores vjet, mekanikët u kthyen në Maranello në 2 të natës dhe u pritën nga mbi 1,000 tifozë. Vetëm Ferrari mund të krijojë këtë ndjesi”.

TË FUNDIT