Max Verstappen e arriti fitoren e katërt në pesë garat e para të këtij sezoni në Formula 1. Piloti holandez nuk e vendosi për asnjë moment në dyshim triumfin në Çmimin e Madh të Kinës, pavarësisht se në pistën e Shanghait në dy momente u fut makina e sigurisë. Pas këtij suksesi, 26-vjeçari theksoi se kishte një ndjesi të shkëlqyer me makinën në pistë ndërsa shtoi se mund të bënte çfarë të donte me RedBull-in e tij.
“Makina më dhuroi një ndjesi fantastike, ishim të shpejtë gjatë gjithë fundjavës, ndryshimet që provuam një ditë më parë funksionuan më së miri dhe makina ishte edhe më e mirë. Ishte një kënaqësi ta ngisje atë”, ka thënë Verstappen.
“Edhe pas ndërhyrjes nga makina e sigurisë, makina sërish u përgjigj mirë dhe ishte në ritmin e duhur. Ishte një fundjavë që e shijova shumë”, u shpreh holandezi.

Tri herë kampioni i Botës udhëheq klasifikimin e përgjithshëm të pilotëve me 110 pikë, i ndjekur nga shoku i skuadrës, Sergio Perez në kuotën e 85 pikëve ndërsa i treti në renditje vjen ferraristi Charles Leclerc me 76 pikë.
Gara e radhës në Formula 1 do të jetë ajo në Çmimin e Madh të Amerikës në Miami, më datë 5 maj.



