Granit Xhaka zyrtarisht është emëruar kapiten i Sunderland para fillimit të sezonit të ri 2025-26, një nder dhe përgjegjësi e madhe për mesfushorin me prejardhje kosovare dhe pasaportë zvicerane.
I njohur për aftësitë e tij të lidershipit në fushë, Xhaka ka mbajtur më parë shiritin e kapitenit te skuadrat e mëdha si Borussia Mönchengladbach dhe Arsenal, si dhe në disa ndeshje gjatë karrierës së tij në Bayer Leverkusen.
Pas marrjes së shiritit të kapitenit në Sunderland, Xhaka shprehu krenarinë e tij për besimin që i ka dhënë klubi, transmeton AutoPortali.
“Më bën jashtëzakonisht krenar që jam kapiten i këtij klubi dhe i kësaj skuadre,” tha ai.
“Shpresoj të tregoj lidershipin tim jo vetëm brenda fushës, por edhe jashtë saj, duke ndihmuar shokët e skuadrës në qendrën stërvitore dhe në gjithë klubin” – ka shtuar Ai.
Xhaka e konsideron këtë emërim si një pjesë të rëndësishme të historisë së Sunderlandit dhe një përgjegjësi të madhe që e bashkon me emra të njohur të kapitenëve të mëparshëm të klubit.
Trajneri i Sunderland, Regis Le Bris, shpjegoi arsyet e zgjedhjes së Xhakës si kapiten, duke theksuar rëndësinë e përvojës, qëndrueshmërisë dhe pjekurisë në një ligë si Premier League.
“Sjellja e tij deri më tani ka qenë shumë mbresëlënëse dhe në fushë niveli i tij duket qartë. Ai ka një ndikim të madh mbi bashkëlojtarët dhe lidershipi i tij do të jetë kyç për ekipin ndërsa ne përshtatemi me një mjedis të ri dhe përballemi me sfida dhe mundësi të reja” – ka thënë Le Bris.
Trajneri shtoi se Xhaka do të jetë pjesë e një grupi të ri udhëheqës brenda ekipit, i cili do të kompletohet pas përfundimit të afatit kalimtar të verës, duke krijuar kështu një strukturë të fortë dhe të qëndrueshme për sezonin që po vjen.
Ky emërim i Granit Xhakës si kapiten i Sunderland shënon një kapitull të ri në karrierën e tij, duke reflektuar besimin e madh që klubi dhe trajneri kanë në aftësitë dhe lidershipin e tij, ndërsa skuadra përgatitet për një sezon sfidues dhe ambicioz në elitën e futbollit anglez. /AutoPortali



