Xhaka flet për vendimet e Avdullahut dhe Hajdarit të cilët i thanë “JO” Zvicrës dhe “PO” Kosovës
X

Xhaka flet për vendimet e Avdullahut dhe Hajdarit të cilët i thanë “JO” Zvicrës dhe “PO” Kosovës

Granit Xhaka ka folur gjerësisht për “Blick”, duke trajtuar suksesin me Sunderlandin, objektivat me Zvicrën dhe zhvillimet në përfaqësuesen helvetike.

Ai u pyet edhe për vendimin e Leon Avdullahut dhe Albian Hajdarit për të përfaqësuar Kosovën.

Sipas tij, ata nuk ishin afër formacionit bazë të Zvicrës.

“Lojtarë si ata kanë cilësi, por duhet të vlerësojnë statusin e tyre. A do të arrinin vend startues brenda katër vjetësh? Kam dyshime, duke parë se as Ardon Jashari, që është me ne prej tre vjetësh, nuk ka luajtur shumë,” tha Xhaka.

Ai shtoi se Avdullahu ende nuk është në nivelin e Jasharit. “Leoni është lojtar i mirë dhe luan rregullisht te Hoffenheimi, por ndoshta i mungoi durimi. Megjithatë, është zgjedhje e tyre të luajnë për Kosovën, e cila po paraqitet shumë mirë,” theksoi ai.

Zvicra kryeson grupin me tre pikë më shumë se Kosova. Nëse nuk fiton ndaj Suedisë, ndërsa Kosova mposht Slloveninë, ndeshja në Prishtinë do të jetë vendimtare për vendin e parë dhe kualifikimin në Botëror.

Xhaka dëshiron ta sigurojë biletën që të shtunën: “Nëse e bëjmë punën me Suedinë, nuk do të kemi nevojë për finale në Prishtinë. Por edhe nëse ndodh, do ta pranojmë.”

Ai foli për mungesën e Remo Freulerit dhe rëndësinë e tij në mesfushë, si dhe për kuriozitetin se kë do të zgjedhë trajneri Murat Yakin në vend të tij.

Pjesë e intervistës ishte edhe suksesi me Sunderlandin. Xhaka lavdëroi tifozët: “Në udhëtim kundër Chelseat dëgjoheshin vetëm ata. Janë tifozë të vërtetë, jo turistë. Sunderland është jeta e tyre.”

Si lider i skuadrës, ai e cilësoi kalimin te Sunderlandi si sfidën më të madhe të karrierës. “E dija që kam bërë zgjedhjen e duhur. Kur ndien komoditet, jep më shumë për klubin dhe shokët e skuadrës.”

Në fund, Xhaka u ndal te synimet me Zvicrën: “Unë, Freuleri dhe Rodriguezi jemi në moshë ku Botërori 2026 mund të jetë i fundit. Prandaj dua ta sigurojmë patjetër kualifikimin.” /AutoPortali

TË FUNDIT