Yamaha i është kundërpërgjigjur kritikave të Fabio Quartararos, pas një fundjave të vështirë në Aragon. Piloti francez kishte deklaruar se nuk dëshironte të ndihmonte më në zhvillimin e motorit për vitin 2027, duke shprehur pakënaqësi edhe për pjesët e reja që ekipi i kërkonte të testonte.
Një nga çështjet kryesore mes tyre është vendimi i Yamaha-s për të kaluar te motori V4, ndërsa Quartararo kishte preferuar të vazhdohej me motorin me katër cilindra në linjë.
Drejtori ekzekutiv i Yamaha Motor Racing, Paolo Pavesio, e kritikoi pilotin për mungesë objektiviteti, duke thënë se Yamaha po përpiqet të zhvillojë motorin pavarësisht vështirësive.
Ndërkohë, drejtori i ekipit, Massimo Meregalli, tha se Quartararo nuk do të marrë pjesë në testet e ardhshme në Austri, pasi Yamaha do të punojë me pilotët që do të jenë pjesë e ekipit sezonin e ardhshëm.
Meregalli i dha edhe një këshillë francezit: “Fabio duhet të marrë shembull nga Jack Miller. Ai gjithmonë jep maksimumin dhe kujdeset që, edhe kur gjërat bëhen të vështira, të gjithë të ruajnë humorin e mirë”.



