Sonte zhvillohet vazhdimi i xhiros së tretë në fazën e grupeve të Champions League, ku priten emocione të forta nga nëntë duelet në program.
Pa dyshim, vëmendja kryesore i takon super-ndeshjes në “Santiago Bernabeu” mes Real Madridit dhe Juventusit.
Ylli kosovar Edon Zhegrova është rikthyer në skuadër pas një lëndimi dhe është ftuar nga trajneri Igor Tudor, me shpresën që të ketë minuta në këtë përballje të madhe.
Madrilenët, të udhëhequr nga Kylian Mbappe në formë të jashtëzakonshme, synojnë ta mbrojnë fitoren para tifozëve të vet.
Në ndeshjet tjera të mbrëmjes, Liverpooli përballet në udhëtim me Eintracht Frankfurtin, në një duel ku të kuqtë kërkojnë rikthimin te rezultatet pozitive, ndërsa gjermanët shpresojnë të përfitojnë nga momenti i dobët i rivalëve.
Bayern Munichu, me Harry Kane në formë kulmore, është favorit i madh ndaj Club Brugge, ndërsa Chelsea pret Ajaxin në “Stamford Bridge” në një ndeshje që pritet të sjellë rivalitet të madh.
Dy ndeshje nisin nga ora 18:45, ndërsa shtatë të tjera nga ora 21:00, duke garantuar një natë tjetër spektakolare në arenën evropiane.



