Shqipëria ka pësuar humbje në “Air Albania” me rezultat 0-1 nga Gjeorgjia në kuadër të rrethit të dytë në Ligën e Kombeve.
Ndeshja nisi me dominimin e kuqezinjve, që kishin posedimin e topit dhe rastet për gol.
Me kalimin e minutave, gjeorgjianët filluan të tregonin paksa nga loja e tyre, por pa ndonjë efekt.
Më pas, Shqipëria shkoi me të gjitha forcat në sulm, mirëpo sërish nuk kishte efekt.
Jasir Asani tentoi me specialitetin e tij me goditje nga distanca, ndërsa bllokohej nga mbrojtja mysafire.
Edhe Arbër Hoxha tentoi nga distanca, por as ky nuk ia doli të tundë rrjetën e Gjeorgjisë.
Në 45 minutat e dytë pati një angazhim edhe më të madh nga lojtarët tanë, por që pësuam golin e disfatës.

Në minutën e 71-të, Giorgi Kochorashvili goditi nga distanca, për të mposhtur Thomas Strakoshën për rezultatin 0-1.
Shqipëria tentoi të nxirrte së paku një barazim, mirëpo nuk ia doli.
Gjeorgjia është lidere e Ligës B, Grupit 1, me gjashtë pikë, Shqipëria dhe Çekia me nga tri, ndërsa Ukraina pa pikë.



