Përfaqësuesja e Zvicrës është çerekfinalistja e pare e Kampionatit Evropian, pasi ka mundur me rezultat 2:0 kampionin actual, Italinë.
“Helvetikët” rastin e parë serioz e patën në minutën e 24-t me anë të Breel Embolos, i cili dështoi të shënojë kur u gjend ballë për ballë Gianluigi Donnarummas.
Italia në anën tjetër pati një paraqitje të zbehtë duke mos arritur të krijojë ndonjë mundësi të mirë shënimi.
Pasi iniciativa ishte pothuajse gjatë tërë kohës në anën e tyre, përpjekjet e lojtarëve zviceranë u shpërblyen me gol.
Në minutën e 37-të Zvicra arriti të shënojë golin e epërsisë me anë të Remo Freuler, i cili pranoi një pasim të mirë brenda zonës duke shënuar me qetësi për 1-0.
Fabian Rieder i Zvicrës ishte ai që iu afrua seriozisht golit të dytë kur në minutën e parë të shtesës bëri një gjuajtje të fuqishme nga goditja e dënimit, por u ndal nga Donnarumma.
Përkundër faktit që “Azzurrët” ishin në disavantazh, përsëri ishte Zvicra ajo që diktonte tempon e lojës duke mos lejuar të rrezikohej porta e Yann Sommer.
Me të filluar pjesa e dytë (46’), Ruben Vargas shënoi për të shtuar epërsinë e Zvicrës në 2:0, që doli të jetë edhe rezultati përfundimtar i ndeshjes.

Scamacca në minutën e 75-të e pati rastin më serioz në këtë takim për italianët, por gjuajtja e tij u ndal nga shtylla.
Në çerekfinale zviceranët do të luajnë me fituesin e ndeshjes Angli/Sllovaki



