Zvicra në telashe me largimin e lojtarëve, Blick shkruan se çka duhet të bëjnë
Z

Zvicra në telashe me largimin e lojtarëve, Blick shkruan se çka duhet të bëjnë

Gazeta e njohur zvicerane “Blick” i ka kushtuar një artikull mbrojtësit të ri shqiptar, Albian Hajdari, duke trajtuar mundësinë që ai të përfaqësojë Kosovën në arenën ndërkombëtare, në vend të Zvicrës.

22-vjeçari me origjinë nga Kosova është aktualisht pjesë e skuadrës gjermane Hoffenheim dhe konsiderohet si një nga mbrojtësit me më shumë potencial në futbollin zviceran.

Deri më tani, Hajdari ka bërë debutimin me përfaqësuesen A të Zvicrës, por vetëm në një ndeshje miqësore, gjë që sipas rregullave të FIFA-s i lë atij të hapur mundësinë për të ndërruar kombëtaren, transmeton AutoPortali.

Në një deklaratë për gazetën KOHA, Hajdari konfirmoi se ka mundësi të përfaqësojë si Zvicrën, ashtu edhe Kosovën, por shtoi se për momentin është i përqendruar tërësisht te zhvillimi i tij si futbollist te Hoffenheim.

Sipas “Blick”, Federata e Futbollit të Kosovës ka kohë që është në kërkim të shërbimeve të Hajdarit dhe mbetet aktive në përpjekjet për ta bindur të veshë fanellën dardane.

Në anën tjetër, gazeta paralajmëron Federatën e Futbollit të Zvicrës që të veprojë me shpejtësi, nëse dëshiron ta mbajë lojtarin brenda radhëve të saj, duke përmendur rrezikun e një “largimi të tretë” brenda një kohe të shkurtër.

Shembujt e fundit që e forcojnë këtë shqetësim janë dy lojtarë të rinj me prejardhje nga Ballkani Leon Avdullahu, i cili së fundi vendosi të përfaqësojë Kosovën, dhe talenti Eman Kospo, që zgjodhi Bosnje-Hercegovinën në vend të Zvicrës.

Të dy këto raste kanë shkaktuar reagime dhe debat në opinionin sportiv zviceran.

Rasti i Hajdarit, për shumë analistë, është një tjetër provë për federatën zvicerane që të kuptojë rëndësinë e lidhjes emocionale që lojtarët me rrënjë nga diaspora kanë me vendet e origjinës së tyre.

Në të njëjtën kohë, për Kosovën, ky është një shans real për të përforcuar repartin defensiv me një futbollist të rritur në një sistem elitar dhe me përvojë në futbollin gjerman. /AutoPortali

TË FUNDIT