Duke parë ofertat e sotme në sallonet e makinave, çmimet e automjeteve të reja në tregun evropian dhe atë rajonal janë rritur aq shumë, sa duket e pabesueshme se çfarë mund të blihej para pandemisë. Ndërsa sot edhe modelet më të lira i afrohen shifrës prej 20 mijë eurosh, portali italian AutoEveryeye ka rikujtuar se vetëm dhjetë vjet më parë, me 10 mijë euro mund të dilje nga salloni me një makinë krejtësisht të re.
Në vitin 2016, kjo shumë ishte e mjaftueshme për të zgjedhur mes të paktën 14 modeleve të ndryshme. Në listë përfshiheshin Dacia Sandero, Fiat Panda, Citroën C1, Peugeot 108, Toyota Aygo, Renault Twingo, Suzuki Alto, Skoda Citigo, Seat Mii, Ford Ka+, Hyundai i10 dhe Kia Picanto. Me pak negociata ose gjatë ofertave promocionale mund të blihej edhe Fiat 500.
Edhe pse bëhej fjalë për versionet bazë të këtyre modeleve, blerësit merrnin një makinë të re me garanci dhe me kosto të ulëta mirëmbajtjeje. Sot, me të njëjtën shumë prej 10 mijë eurosh, në tregun e makinave të reja praktikisht nuk mund të blihet asnjë automjet, ndërsa opsionet kufizohen vetëm te makinat e përdorura me disa vite përdorim dhe kilometrazh të lartë.

Sot situata ka ndryshuar rrënjësisht. Prodhuesit evropianë dhe ata kinezë kanë rritur ndjeshëm çmimet e modeleve bazë, ndërsa kufiri i hyrjes në tregun e makinave të reja është zhvendosur në 15 deri në 20 mijë euro, duke e bërë blerjen e një automjeti të ri shumë më të vështirë për blerësin mesatar.



