Në këtë fundjavë mbahet gara në disiplinën malore, “Scanderbeg Trophy 2026”, në Krujë, e cila poentohet për Kampionatin e FIA CEZ, por edhe për Kampionatin e Kosovës.
Për garuesit tanë, kjo është gara e dytë në FIA CEZ pas asaj në Kullë dhe e treta për kampionatin vendor, pas Grashticës dhe Kullës.
Pra është e qartë që, rëndësia e garës është e madhe dhe garuesit kanë motiv të mjaftueshëm për të dhënë maksimumin për të arkëtuar pikë të reja për renditjen në klasa dhe në plasmanin e përgjithshëm.
Nga 16 garuesit tanë që do të marrin pjesë në Krujë, Gazmend Demolli, Bardhyl Canolli e Belkim Fazliu shkojnë me synimin për t’u gjendur në podiumin e plasmanit të përgjithshëm.
Sigurisht që për të arritur këtë sukses nuk do të jetë aspak e lehtë, marrë parasysh konkurrencën e fortë që do të jetë me garues nga Shqipëria, Serbia e Mali i Zi.
Edhe garuesit tanë tjerë shkojnë me ambicie serioze për sukses në klasat e tyre.



