Liga Unike e basketbollit në konkurrencën e meshkujve do të jetësohet përsëri, me katër skuadra të Kosovës dhe po aq të Shqipërisë.
Ndërkohë që Liga Unike për femra ka vijuar normalisht aventurën e saj dhe është duke mbyllur edicionin e tretë, me meshkujt situata ka qenë më e ndërlikuar. Vjet turneu që bashkon ekipet e basketbollit nga Shqipëria e Kosova nuk u zhvillua.
Por këtë sezon situata është ndryshe dhe dy Federatat e Basketbollit (FSHB dhe FBK) kanë rënë dakord që ky turne të organizohet në Vlorë, me sistem grumbullimi.
Ndeshjet do të zhvillohen më datat 27-31 mars në qytetin bregdetar.
Tirana, Kamza Basket, Besëlidhja e Teuta nga Shqipëria si dhe Peja, Sigal Prishtina, Trepça e Golden Ylli nga Kosova do të jenë pjesë e Ligës Unike.
Ende nuk është përcaktuar një kalendar zyrtar për ndeshjet, por organizimi në Vlorë është bërë për t’u ardhur në ndihmë skuadrave të Shqipërisë, që kishin më shumë probleme financiare se ato të Kosovës.