Notarja kineze Yu Zidi është bërë sportistja më e re në histori që fiton medalje në një Kampionat Botëror të Notit.
Vetëm 12 vjeçe, ajo ishte pjesë e ekipit të stafetës së Kinës në garën 4×200 metra në stil të lirë, që fitoi medaljen e bronztë në Botërorin e mbajtur në Singapor.
Megjithëse nuk garoi në finalen e së enjtes, Zidi kontribuoi në raundin kualifikues, gjë që i siguron asaj medaljen sipas rregullave të Federatës Ndërkombëtare të Notit (FINA).
Kina përfundoi në vendin e tretë, pas SHBA-së dhe Australisë.
Me këtë arritje, Yu Zidi bëhet medalistja më e re në një ngjarje madhore ndërkombëtare që nga viti 1936, kur danezja Inge Sørensen fitoi medalje në Lojërat Olimpike të Berlinit vetëm një muaj pasi mbushi 12 vjeç.
“Është emocionale, është ndjenjë e mirë,” tha Zidi për mediat pas garës. Ajo pritet të mbushë 13 vjeç në muajin tetor dhe është ende në shkollën fillore.
Zidi ishte pranë medaljes edhe në garat individuale. Në finalen e 200 metrave në stil delfin, ajo u rendit e katërta me kohën 2:06.43, vetëm 0.31 sekonda pas vendit të tretë.
Po ashtu, në garën 200 metra stile të përziera, humbi medaljen me vetëm 0.06 sekonda diferencë.
Pjesëmarrja e saj në Kampionatin Botëror ka shkaktuar debat në komunitetin sportiv, pasi rregullat parashikojnë që notarët duhet të jenë të paktën 14 vjeç. Megjithatë, Yu Zidi u lejua të garojë sepse përmbushi normat A të kualifikimit.
Ish-kampionia e botës Karen Pickering ka shprehur shqetësime për ndikimin e stërvitjes intensive në moshë të vogël, ndërsa ish-notari dhe medalisti olimpik Steve Parry e ka përshëndetur pjesëmarrjen e saj si një zhvillim pozitiv dhe premtues për të ardhmen e sportit.
Yu Zidi tashmë po cilësohet si “sensacioni i ri i notit” dhe pritet të jetë një nga emrat kryesorë të këtij sporti në vitet që vijnë. /AutoPortali



